Rama: Kemi rritur buxhetin për arsimin, krahasuar me 2013-ën

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ I vendosur përballë pohimeve të studentëve protestues për kushtet skandaloze në universitete, Kryeministri Rama në dialog me ta, shpjegoi se problemet me infrastrukturën e shkollave të larta duhen kuptuar në retrospektivë.

“Duhet ta kuptojnë të gjithë, – tha Rama, – se deri në vitin 2009 Shqipëria çonte në universitet rreth 10 mijë studentë dhe infrastruktura ishte për pak më pak se 10 mijë vetë, por i mbante”.

“Në vitin 2008 u mor vendimi për t’i shqyer dyert e universiteteve dhe numri i pranimeve u trefishua. Që vitin e parë shkoi në rreth 30 mijë vetë, si në një shtëpi të njëjtë ku nuk strehohet më një familje, por tri të tilla. Kjo është arsyeja përse duhet parë e gjithë panorama dhe të kuptojmë se si duhen rregulluar gjërat. Keni shumë të drejtë, pasi problemet janë shumë komplekse”, – tha ai.

Por, nga ana tjetër, Kryeministri Rama solli në vëmendje të studentëve protestues edhe faktin që në vitin 2013 buxheti i shtetit për Arsimin ishte pak më shumë se 51 milionë, ndërsa sot është 81 milionë, që do të thotë se është rritur 30 milionë. “I pamjaftueshëm është, por si mund të përballohet kjo situatë?” – pyeti Kryeministri.

“Shqipëria ka pasur 3-fishim të studentëve brenda vitit, një bombë demografike brenda shtetit. Në atë infrastrrukturë në rrënim, u futën edhe të tjerë”, – tha Rama, duke shtuar se këto nuk janë justifikime. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.