Procesi i votimit, KQZ sesion edukimi me studentë e nxënës në Gjirokastër

TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/ – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, zhvilloi një sesion edukimi me studentë të Universitetit “Eqerem Çabej” dhe me nxënës të shkollave të mesme të bashkisë Gjirokastër.

Studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Edukimit dhe Shkencave Shoqërore, të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, si dhe të Fakultetit Ekonomik, ndoqën leksionin e hapur që mbajti për ta zëvendëskryetari i KQZ-së, Denar Biba.

Valbona Duro, zëvendësrektore e Universitetit “Eqerem Çabej”, theksoi rëndësinë e informimit dhe ndërgjegjësimit të brezit të ri për çështjet zgjedhore. Ajo falënderoi KQZ–në për organizimin në vijimësi të veprimtarive për trajnimin dhe edukimin zgjedhor të studentëve të Universitetit “Eqerem Çabej”.

Ndërsa Denar Biba, theksoi nevojën për forcimin e vetëdijes qytetare për rëndësinë e zgjedhjeve demokratike, proceseve më të rëndësishme vendim marrëse, përmes të cilave qytetarët përcaktojnë fatet dhe të ardhmen e vendit.

Gjatë leksionit, i cili u zhvillua në formë bashkëbisedimi, studentët shfaqën interes dhe u qartësuan për aspekte të ndryshme të administrimit të zgjedhjeve në vendin tonë.

Të rinjtë u njohën me garancitë ligjore për ushtrimin e të drejtës së votës në mënyrë të lirë, të fshehtë, të barabartë, të drejtpërdrejtë, dokumentet e vlefshme të identifikimit për votim, rëndësinë e pjesëmarrjes në votime, rëndësinë e votës si shprehje e vullnetit të lirë dhe të pandikuar për demokracinë dhe të ardhmen europiane të vendit.

Simulimi i procesit të votimit ku të rinjtë maturantë u angazhuan si komisionerë, votues dhe vëzhgues, ndihmoi për qartësimin praktik të mënyrës së kryerjes së procedurave nga zgjedhësit, të drejtat dhe detyrimet, po ashtu dhe nga komisionerët zgjedhorë në Qendrën e Votimit. /o.l/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.