Ngritja e KLP, Marku: Hodhëm një gur themeli për gjithë sistemin e drejtësisë

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH- A. Fortuzi/- Kryeprokurorja Arta Marku, në fund të procesit të votimit për krijimin e KLP është shprehur krenare për ngritjen e këtij institucioni, ndërsa e ka vlerësuar institucionin që ajo drejton prej një viti, si një institucion model.

“Të gjithë bashkë, sot duhet të ndihemi krenarë. Me votën tonë ne e krijuam institucionin e parë të drejtësisë së re, e hodhëm një gur themeli për gjithë sistemin e drejtësisë. Të gjithë bashkë ne dëshmuam se jemi të përgjegjshëm. Treguam se ne mundemi t’ia dalim edhe kur të gjithë janë skeptikë ndaj nesh. Treguam se jemi një model që duhet ndjekur”, theksoi Marku.

“Gjatë gjithë këtij procesi kemi pasur mbështetjen pa kushte të partnerëve tanë të OPDAT dhe EURALIUS, të cilët i falenderoj në emër të gjithë trupës së prokurorëve. Mbështetja e tyre ka qenë motivim për ne. Një falenderim të veçantë, në emër të të gjithë prokurorëve edhe për përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, si dhe Ministres së Drejtësisë, të cilët na nderuan me praninë dhe fjalët inkurajuese gjatë pjesës së parë të procesit. Suksese kandidatëve që u shpallën fitues! Po kështu edhe atyre që nuk u shpallën fitues, por që do vazhdojnë të jenë mes nesh, prokurorëve të shtetit shqiptar”, tha Marku gjatë fjalës së saj. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.