Ekonomi: Paketa e qeverisë i tejkalon kërkesat e studentëve

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ – Deputetja e Partisë Socialiste, Milva Ekonomi ka komentuar protestën e cila po zhvillohet nga studentët, duke theksuar se paketa e ofruar nga qeveria shqiptare i tejkalon kërkesat e tyre.

Në një intervistë në studion e “Ora News”, Ekonomi theksoi se nuk është normale që në këtë situatë të ketë skepticizëm për dialog dhe se me përhapjen e protestës, kjo e fundit i ka tejkaluar duart e studentëve.

“Mua nuk më duket se nuk është normale të ketë skepticizëm për dialog. Duke e përhapur protestën, në fakt tregohet se i ka kaluar nga duart studentëve, sepse nuk bëhet fjalë më vetëm për të zgjidhur këto kushte. Patëm shembullin e mirë të zgjidhjes së problemeve kur e nisën protestën. Fillimisht qeveria reagoi menjëherë duhet hequr tarifat për provimet e prapambetura. Studentët nuk po dëgjojnë në këtë moment. Atyre po ju vjen një paketë nga Kryeministria që është më shumë se kërkesat e tyre. Shikoj që nuk ka një reagim për të kuptuar çastin me të cilën duhet të menaxhojnë çastin. Në protestë nuk janë vetëm studentët. Ka edhe figura politike. Protesta nuk është më protestë vetëm e studentëve. Nuk duhet të humbin qëllimin që kishin gjatë rrugës. Tashmë në protestë është futur PD dhe LSI dhe kjo do i dëmton studentët”, – theksoi deputetja.

Në studion e lajmeve, deputetja Ekonomi u pyet edhe për kërkesën e studentëve për rritjen e buxhetit të arsimit në 5%, një shifër e cila sipas saj do të shkojë drejt realizimit.

“Gjerat kanë nevojë për pjekurinë e vetë të cilat vijnë dhe progresohen hap pas hapi. Buxheti për 5% të GDP, është një buxhet që kërkon të çojë arsimin në këto nivele, por është një premtim që ka bazë dhe po mbahet. Ne e kemi prioritet arsimin dhe mos të harrojmë se kemi si prioritet edhe arsimin professional. Tani kërkohet diçka tjetër, kërkohet që të përmirësohen disa kushte në tarifa, në qëndrimin në kampuse, kërkohet një përzgjedhje të studentëve brenda bordeve, kërkohet një mundësi për punësim të studentit dhe të gjitha këto gjëra janë pjesë e paketës që ata kanë kërkuar dhe janë pjesë e ofertës që po vjen për bashkëbisedim nga Kryeministri”, – u shpreh Ekonomi.

Deputetja socialiste u ndal edhe te shpenzimet e studentëve të cilat mbulohen nga buxheti i shtetit, që shkon në një mesatare prej 75%.

“Ne kemi rënë dakord që të bëjmë një buxhetim trevjeçar, i cili është plani dhe quhet projektbuxheti afatmesëm, ndërkohë që çdo vit ne shikojmë mundësi të reja realizimi dhe riplanifikojmë tre vjeçarin. Edhe heqja e tarifave që kërkojnë studentët nuk është aq e lehtë, duhet një proces me letër dhe me penë, për të parë se sa mundësi ka buxheti i shtetit për të ndihmuar studentët. Aktualisht sot buxheti, ndihmon rreth 75% të kostos mesatare të një studenti”, – vijoi Ekonomi.

Përsa i përket kërkesës së studentëve për rritjen e prezencës së tyre në vendimmarrjen në bordet e universiteteve, Ekonomi bëri me dije se modelet që vijnë nga vende të zhvilluara në mbarë botën, nuk e kanë këtë model, duke e lënë studentin si një aktor vendimmarrës në senatet e universiteteve.

“Në përgjithësi modelet që vijnë nga bota nuk e kanë studentin një aktor vendimmarrës në borde, e kanë studentin një aktor vendimmarrës në senat. Në Shqipëri meqë kërkojnë që të kenë edhe zë në borde, po u lihet një pozicion në borde me përfaqësues dhe kjo për një arsye, e cila është mënyra sesi shpenzohen paratë, që në këtë rast janë para publike dhe tjetra që të kenë një mundësi për të kontrolluar vetingun në profesorat dhe besoj se rasti i Shqipërisë është një rast i vetëm, por mund të jetë një rast për t’u përgëzuar”, – përfundoi Ekonomi. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.