7 programe në mbështetje të drejtpërdrejtë të biznesit

TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/- 7 programe në mbështetje të drejtpërdrejtë të biznesit, do të zbatojë qeveria gjatë periudhës 2019-2021, me impakt në zhvillimin ekonomik të vendit.

Ministria e Financave bën të ditur se, promovimi i Shqipërisë si destinacion investimesh nëpërmjet organizimit dhe pjesëmarrjeve në panaire nderkombëtare dhe road show promovuese, vizita në kompani (after care) si dhe monitorim efektiv investimesh strategjike, është një ndër programet që targeton një gamë të gjerë biznesesh.

Ndërkohë që ndërmarrja me sukses e aktiviteteve promovuese për nxitjen e investimeve të huaja dhe të produkteve “Made in Albania”, synon të zhvillojë aktivitetin e biznesit dhe prodhimin vendas.

Grantet nga Fondi i Konkurrueshmërisë do të mbështesin financiarisht mbi 60 biznese, me qëllim zgjerimin e eksporteve në tregun ndërkombëtar.

Ndërsa avancimi i mëtejshëm në fushën e teknologjisë dhe inovacionit nëpërmjet granteve, i akordon financim 75 bizneseve të specializuara nga Fondi i Inovacionit.

Gjithashtu Fondi Start-Up, do të financojë 60 biznese, për nxitjen e krijimit te bizneseve të reja në sektorë me potencial zhvillimi.

Por jo më pak jashtë vëmendjes nuk mbetet edhe biznesi i artizanatit.

Mbështetja e sipërmarrjeve të sektorit të artizanatit dhe zejtarisë me qëllim konsolidimin e tyre ne treg dhe rritjen e numrit të të punësuarëve nëpërmjet “Fondit në mbështetje të biznesit kreativ”, ku në total parashikohet të përfitojnë 85 ndërmarrje të vogla dhe të mesme vendase dhe me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë do të financohen 60 biznese që operojnë në këtë sektor. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.