Tarifat për kreditet e prapambetura, Rama dekanëve: Qeveria nuk jua kishte borxh

142

TIRANË, 10 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama sqaroi edhe situatën me VKM për tarifimin e krediteve të prapambetura të studentëve, si kërkesa e parë e protestës, e zgjidhur menjëherë me shfuqizimin e vendimit të qeverisë.

“Arsyeja përse i thashë ministres së Arsimit të mblidhte dekanët dhe rektorët për këtë VKM është se ajo u bë me propozim të të gjithë dekanëve dhe rektorëve që në muajin maj, ndërkohë që ishte befasi për studentët. Është marrë vendimi për tarifimin e krediteve të prapambetura dhe nuk u është komunikuar studentëve”, nënvizoi kryeministri Rama.

“Dua t’u them rektorëve dhe dekanëve:  nuk jua kishim borxh këtë gjë. Sepse e dini shumë mirë që nuk ka një vendim, nuk ka një nen të ligjit të Arsimit të Lartë që nuk është konsultuar gjerësisht me të gjithë ju. Nuk ka një tarifë të vetme që nuk e keni vendosur vetë”, tha kryeministri Rama.

Ai vlerësoi ministren e Arsimit, Lindita Nikolla e cila, sipas tij, ka pasur virtytin të vonojë edhe reformën e Arsimit të Lartë, vetëm e vetëm që të dëgjojë e komunikojë me të gjithë dhe për ta marrë konsensusin e universiteteve.
“Nikolla e solli në qeveri VKM-në për të tarifuar kreditet e prapambetura, të konsultuar me ju dhe ju nuk ua komunikoni studentëve, nuk ua kemi pasur borxh gjithë këtë”, tha Rama. A ka faj ministria e Qeveria?, pyeti ai, duke shtuar se “Qeveria ka gjithmonë përgjegjësi, por në këtë rast nuk është kështu.

Një nga risitë e reformës në universitete që Rama e veçoi në dialogun e tij me studentët protestues është se asnjë prej tyre nuk ka pasur pengesa për të hyrë në shkollë të lartë, ngase u kanë dalë përpara fëmijët e ministrave, biznesmenëve apo atyre që quhet ologarkë. “Ajo që ke dhënë dhe ke marrë në shkollë të mesme, të vlen e të shtron rrugën për të hyrë në universitet”, tha ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.