Reforma në Drejtësi, hapi kyç për të luftuar korrupsionin

TIRANË, 10 dhjetor/ATSH/ Reforma në Drejtësi është hapi kyç për të luftuar korrupsionin.

Kështu deklaroi në një intervistë televizive, kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri Bernd Borchardt.

Reforma në Drejtësi, sipas ambasadorit të OSBE-së, “është vërtet thelbësore”. “Shumë njerëz, shumë miq që kam këtu, shoqëria civile dhe njerëz që merren me çështjet e korrupsionit nuk kanë besim te sistemi i drejtësisë. Ata kanë bindjen se nuk ka kuptim të çojnë raste në prokurori, pasi asgjë nuk do të ndodhë”, tha ai.

Pas një reforme të mirëfilltë, pas finalizimit të Vetting-ut, pasi të gjithë gjykatësit dhe prokurorët me pasuri të pashpjegueshme të kenë ikur, sipas Borchardt, “respekti dhe besimi në sistemin e drejtësisë do të rriten dhe kjo do të çojë po ashtu në më shumë padi, në më shumë raste që do t’i paraqiten sistemit të drejtësisë”.

“Jam shumë optimist për këtë. Sa u takon çështjeve të mëdha, të ashtuquajturit peshq të mëdhenj për të cilët fliste ish-ambasadori amerikan, janë veçanërisht Byroja Kombëtare e Hetimit dhe prokuroria e posaçme SPAK që do të duhet të merren me to”, tha ai. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.