Protesta për çmimin e karburantit, reagon Rama

TIRANË,  10 dhjetor/ATSH/ – Dhjetëra qytetarë të mbështetur nga Partia Demokratike protestuan pasditen e së hënës kundër çmimit të karburanteve.

Qytetarët, të përkrahur nga nga zyrtarë lokalë të PD, kanë protestuar në qytetet, Shkodër, Vau i Dejës, Lezhë dhe Kavajë.

Kujtojmë se këto bashki drejtohen në nivel lokal nga Partia Demokratike, ndërsa protestuesit kanë bllokuar qarkullimin për rreth një orë.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me këto protesta në katër qytete të vendit, në lidhje me çmimin e karburanteve.

“Punonjësit e bashkisë Lezhë protestojnë si fermerë, ata të bashkisë Shkodër si shoferë dhe ata të bashkisë Kavajë si francezë”, theksoi Kryeministri Rama.

Kreu i Qeverisë komentoi edhe protestën e studentëve në Tiranë për të cilët thotë se nuk duhet të “përdoren si qendër graviteti e revolucionit”, nga Kryemadhi dhe Basha.

“Studentët s’duhet të dialogojnë, po duhen mbajtur peng me çdo kusht që të përdoren si qendër graviteti e revolucionit të Lulit & Monikës. Jo politikë?”, thotë Kryeministri Rama.

/e.caushi/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.