Mazniku: Paketë më e gjerë kërkesash për studentët, protesta po instrumentalizohet politikisht

TIRANË, 10 dhjetor/ATSH/ – Nënkryetari i bashkisë së Tiranës dhe njëherazi anëtar i Bordit të Administrimit të Universitetit të Tiranës, Arbian Mazniku komentoi qëndrimin refuzues të studentëve pas plotësimit dhe tejkalimit të kërkesave nga Kryeministri Edi Rama, që sipas tij po përdoret politikisht.

Gjatë një interviste për Report TV, Mazniku tha se protesta po instrumentalizohet politikisht.

Ai theksoi se ka të paktën tri shkresa, në Kryeministri, Kryesi të Kuvendit dhe te Ministria e Financave, duke shtuar se flitet për tetë prej tyre, por janë të ndryshme.

“Kjo ndodh sepse sot nuk kemi një mundësi që studentët të thonë këto janë kërkesat që ne kemi dhe të ulemi në dialog. Për sa kohë nuk ka dialog, kjo e vështirëson. Sot dinamika e protestës ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore. Kemi një tentativë të qartë nga qarqet politike për ta instrumentalizuar protestën. S’e kuptoj pse disa njerëz nuk ulen në dialog. A është kjo protestë tregues për krijimin e një rryme të re politike? Nëse kemi të bëjmë me njerëz që kanë axhendë politike, kjo është çështje tjetër. Por ka nevojë për adresim të ndryshëm nga ana e shoqërisë. Problem është kur thuhet jemi kjo dhe del që është një gjë tjetër”, deklaroi Mazniku.

Më tej, ai vuri në dukje se Kryeministri e bëri të qartë kërkesën e tij për dialog me një paketë shumë më të gjerë se ajo e kërkuar nga studentët.

Mazniku sqaroi se kjo është një paketë që zgjidh jo vetëm tarifat, pjesëmarrjen e tyre në Bord, por avancon në mënyrë të qëndrueshme sistemin arsimor të lartë.

“Kryeministri ka qartësua se kemi nevojë për dialog. Kemi nevojë të ulemi për t’i dhënë zgjidhje. Nuk ka thënë se do ndalojmë protestën, as negocim, por dialog për ato çështje që ju kërkoni dhe gjërat mund të jenë përtej gjërave që janë në protestë”, tha ai.

“Për dhjetëra vite, unë nga historia kam qenë protestues i regjur për shumë vite më parë dhe përqasja ka qenë se qeveria nuk fliste, nuk ulej të dialogonte. Por, në kushtet e sotme qeveria është e gatshme të negociojë dhe kemi dhe një palë që nuk do të vërteta”, -përfundoi nënkryetari i bashkisë. /z.tosku//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.