FUTBOLL – Ronaldo fton Mesin që të luajë në Itali

TIRANË, 10 dhjetor /ATSH/ – Kristiano Ronaldo fton yllin e “Barcelonës” Lionel Mesi që të vijë dhe të luajë në Itali.

Gjatë një interviste të dhënë për mediet, portugezi ka folur për një sërë çështjesh, duke filluar nga Lionel Mesi, atmosfera në Itali dhe zhgënjimi për Topin e Artë.

“Messi, do të më pëlqente të bënte siç bëra unë, të pranonte sfidën dhe të vinte të Itali. Por nëse ndihet mirë në Katalonjë, atëherë është vendimi i tij. E respektoj shumë, pasi është një djalë i shkëlqyer, por këtu nuk më mungon aspak”, u shpreh ai.

Kristiano Ronaldo tha se “Torino është një qytet i dashur, me njerëz shumë të sjellshëm, ku kalohet vërtetë mirë. Këtu lojtarët janë të bashkuar dhe mund të them pa dyshim se është ndoshta grupi më i fortë ku kam bërë pjesë. Edhe në Madrid ishim të bashkuar, por këtu është diçka komplet ndryshe. Luajmë dhe sakrifikojmë të gjithë bashkë, pa u kujdesur për objektivat personalë. Përshtypjet e mia të para janë vërtetë fantastike”.

“Liga e Kampioneve me “Juven”, të gjithë duam ta fitojmë, pasi dihet tashmë që klubit i mungon prej vitesh ky trofe. Gjithsesi nuk duhet të shndërrohet në një obsesion, ashtu siç ishte liga e 10 e kampioneve në Madrid”, tha portugezi.

I pyetur për Topin e Artë për Modriç, Ronaldo u shpreh se “të jem i sinqertë, unë mendoj se e meritoj ta fitoj çdo vit, për atë që bëj në fushën e lojës, megjithatë Luka e meritoi plotësisht dhe i uroj suksese. Megjithatë edhe vitin e ardhshëm unë do të jem mes pretendentëve, pasi punoj shumë për këtë”.

“Kam kuptuar se “Juventinët” nuk pranojnë të humbasin dy takime, derbin me “Torinon” dhe sfidën me “Interin””. /o.l/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.