Deklarata e Tiranës: Të bashkuar kundër fake news

TIRANË, 10 dhjetor /ATSH/ – Sfidat e agjencive të lajmeve përballë “fake news”, mblodhi në datat 3 dhe 4 dhjetor në Tiranë, agjencitë më prestigjioze rajonale dhe europiane të lajmeve, në konferencën e organizuar nga ATSH me temë,  “Agjencitë e Lajmeve vs ‘Fake News’”.

Gjatë kësaj konference, drejtuesit kryesorë të agjencive të lajmeve theksuan domosdoshmërinë e përballjes me fenomenin global të lajmeve të rreme.

Ata shtuan se teknologjitë e reja mundësojnë përhapjen shumë të shpejtë të lajmeve të rreme, konfuze dhe që cënojnë një nga liritë themelore të njeriut siç është e drejta e informimit.

Në fjalimet e drejtuesve të këtyre agjencive, u theksua roli i madh që marrin agjencitë e lajmeve në përballjen me fake news.

Pas pjesëmarrjes në konferencën ndërkombëtare “News Agencies vs Fake News”, agjencitë europiane të lajmeve dolën me një deklaratë të përbashkët, ku theksojnë faktin se kanë rënë dakord për të luftuar së bashku kundër fenomenit global të fake news.

Sipas tyre, ato bien dakord për bashkëpunim sipas direktivave të përshkruara me hollësi në deklaratën shpjeguese, bashkëlidhur Deklaratës së Tiranës.

”Ne ndajmë pikëpamje shumë të ngjashme se si duhet të veprojmë së bashku, duke respektuar diversitetin tonë dhe kemi rënë dakord veçanërisht për:

– Bashkëpunim të drejtpërdrejtë mes agjencive të lajmeve në verifikimin dhe zbulimin në kohë të lajmeve të rreme.

– Zhvillimin e mjeteve dhe rregullave efikasë për fuqizimin e përdoruesve të internetit dhe gazetarëve për parandalimin e dizinformacionit.

– Të nxisim median e besueshme dhe edukimin e përdoruesve të internetit gjatë lundrimit në mjedisin digjital.

– Rrisim transparencën e lajmeve në internet, duke përfshirë zhvillimin e vazhdueshëm të gazetarisë profesionale.

– Mbrojtjen e diversitetit dhe qëndrueshmërisë së ekosistemit mediatik për lajmin e vërtetë.

Ne nxisim të gjitha agjencitë e lajmeve, qofshin ato të financuara nga shteti, apo privatisht, si edhe organizatat ndërkombëtare të agjencive të lajmeve, të bashkohen me ne duke aderuar në këtë Rezolutë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të tyre.

Deklarata e Tiranës është nënshkruar nga agjencitë nismëtare:

1-ATSH

2-ANA MPA (Greqi)

3-HINA (Kroaci)

4-BTA (Bullgari)

5-AZERTAC (Azerbajxhan)

6-PAP (Poloni)

7-AGERPRES (Rumani)

8-TASR (Sllovaki)

9-UKRINFORM (Ukrainë)

10-CNA (Qipro)

11-FENA (BH)

12-TANJUG (Serbi)

13-AA (Turqi)./  a.jor

Deklarata e Tiranës-Të bashkuar kundër fake news

Rezolutë për luftën kundër fake news

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.