Zyra e Doganës së Kosovës në portin e Durrësit nga janari 2019 

PRISHTINË, 9 Dhjetor /ATSH/.-Procedurat doganore në Portin  e Durrësit nga Dogana e Kosovës do të nisin nga muaji janar 2019.

Dogana e Kosovës deklaroi sot se, grupet teknike kanë filluar procedurat për hapjen e zyrës së kësaj Dogane në Portin e Durrësit.

Në kuadër të bashkëpunimit si dhe të zbatimit të vendimeve të dyja qeverive, në dy ditët e kaluara  në Tiranë dhe Durrës, drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës Bahri Berisha ka takuar drejtoren e përgjithshme të Doganës së Shqipërisë Belinda Ikonomi. Në takim ishin prezentë edhe dy grupet punuese të administratave doganore, ku edhe janë diskutuar procedurat teknike për hapjen e Zyrës së Doganës së Kosovës në Portin e Durrësit.

Gjatë vizitës në portin e Durrësit u përcaktuan  zyrat dhe ambientet e punës për Doganën e Kosovës, ku do të zhvillohen procedurat doganore të tranzitit.

Dogana e Kosovës thekson se hapja e zyrës në Durrës do të lehtësojë tregtimin, lëvizjen e mallrave po ashtu edhe atë të udhëtareve. Kjo pritet të reduktojë koston e bizneseve si dhe të ndihmojë në rritjen e ekonomive të dy vendeve përmes thellimit të bashkëpunimit./b.j/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.