Viti i Kulturës Austri-Shqipëri, Zamir Kabo koncert në piano

TIRANË, 9 Dhjetor/ATSH/- Shoqata e Miqësisë Austri- Shqipëri dhe Ambasada e Shqipërisë në Vjenë me mbështetjen e “Vienna Insurance Group” organizuan Koncertin Solo Piano, në të cilin shfaqi talentin e tij artisti i ri shqiptar Zamir Kabo,  i diplomuar së fundmi edhe nga Universiteti Mozarteum i Salzburgut.

Nderoi me pjesëmarrjen e saj Elisabeth Gehrer, ish Ministre e Arsimit e Republikës së Austrisë, aktualisht Kryetare Nderi e Shoqatës së Miqësisë Austri Shqipëri.

Fjalën e hapjes në këtë mbrëmje kulturore e mbajti përfaqësuesi i Vienna Inssurance Group, anëtar i bordit drejtues, Peter Hoefinger.

Pasi uroi mirëseardhjen të pranishmëve, ai shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin me ambasadën shqiptare ndër vite dhe për këtë organizim së bashku me shoqatën e miqësisë.

“Vienna Insurance Group” është ndër kompanitë më serioze dhe më të mëdha në tregun e sigurimeve në Shqipëri. Aktiviteti dhe investimet e saj në vendin tonë kanë ardhur në rritje duke siguruar pozicion të rëndësishëm në tregun e sigurimeve.

Të pranishmit u përshëndetën edhe nga Ambasadori i Shqipërisë, Roland Bimo dhe Kryetari i Shoqatës së Miqësisë Austri Shqipëri, Ambasadori Arno Riedel.

Nderuan me prezencën e tyre përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Austri si dhe diplomatë të Departamentit të Kulturës të Ministrisë Federale për Europën, Integrimin dhe Punët e Jashtme të Austrisë.

Aktiviteti u zhvillua në kuadrin e Vitit të Kulturës Austri- Shqipëri 2018./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.