Studentët vijojnë protestën para Ministrisë së Arsimit

TIRANË, 9 dhjetor/ATSH/ Studentët vijojnë sot ditën e gjashtë të protestës, në kërkim plotësimit të kërkesave të tyre për uljen e tarifave universitare.

Studentë nga Universiteti i Tiranës, Politekniku, Universiteti i Sporteve dhe Universiteti i Arteve janë mbledhur përpara Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë duke kërkuar përgjysmim të tarifave të shkollimit, rritje të buxhetit për universitetet dhe kushte më të mira në konvikte.

Protesta e studentëve nisi me kërkesën kundër tarifës për provimet e prapambetura, ndërkohë që ata kanë kërkuar edhe përgjysmim të tarifës së studimit, rritje në 50% e votës për zgjedhjen e dekanëve e rektorëve, rritje të përfaqësisë së studentëve në bordin e administrimit, mbështetja e studentëve për kërkime shkencore, mbështetja e studentëve të doktoraturës me fonde, përmirësim i kushteve të konvikteve, dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë si dhe pajisja e studentëve me kartë studenti brenda vitit 2018-19

Në përgjigje të kërkesë së parë për heqjen e tarifës për provimet e mbartura, Këshilli i Ministrave miratoi në 6 dhjetor shfuqizimin e pikës 4 të vendimit mbi “Miratimin e kufirit maksimal të tarifës vjetore të shkollimit për studentët”. Vendimi për shfuqizimin e pikës 4 të kësaj VKM-je u mor pas propozimit të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Por, studentët vendosën vijimin e protestave deri në realizimin e të gjitha kërkesave të tyre.

Në një njoftim për shtyp, studentët kanë denoncuar sipas tyre, “të paktën 12 raste sulmesh të tilla nga keqbërës të partive janë evidentuar gjatë këtyre ditëve, prej të cilave, shumica e të cënuarve kanë qenë vajza. Në pjesën më të madhe të këtyre rasteve, agresorët kanë qenë të forumeve të Partisë Demokratike. U bëjmë thirrje strukturave drejtuese të PD-së, si dhe kryetarit Lulzim Basha, që të tërhiqen nga aktet e dhunës dhe metodat e tjera që synojnë intimidim dhe përçarje”.

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla është shprehur e gatshme të takohet me studentët protestues për t’i dëgjuar dhe për t’i mbështetur ata në adresimin e shqetësimeve të tyre. “Zgjidhjet nuk duhet të jenë të njëanshme, ndaj unë kam kërkuar komunikim me studentët dhe pedagogët që të mos kemi zgjidhje të njëanshme, të mos kemi zgjidhje të padrejta, të kemi zgjidhje gjithëpërfshirëse. Kjo protestë, jo vetëm qytetare në kuptimin më të plotë të një proteste të drejtë, por duhet ta kthejmë në rezultate që modernizojnë të gjithë sistemin e arsimit të lartë. Por kjo nuk bëhet me deklarata, por duke parë të gjitha rezultatet hap pas hapi dhe duke shqyrtuar hap pas hapi dhe me profesionalizëm çdo të vërtetë”, ka theksuar ministrja Nikolla.

/k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.