Rritje page për 65 mijë të punësuar në 2019

TIRANË, 9 dhjetor /ATSH/ – Rreth 65 mijë të punësuar do të përfitojnë rritje page gjatë vitit të ardhshëm.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj, ka shpjeguar se cilat do të jenë kategoritë që do të përfitojnë rritje page, nga 7% deri në 20%.

Sipas ministrisë së Financave, sektori i shëndetësisë do të përfitojë rritje page nga 7% deri në 10%.

Sektori i arsimit do të përfitojë një rritje prej 7% për vitin e ardhshëm ndërsa deri në fund të mandatit, arsimtarët do të kenë një rritje page deri në 40%.

Buxheti 2019 mbështet edhe Ministrinë e Mbrojtjes ku disa sektorë do të përfitojnë një rritje page deri në 19% ndërsa punonjësit e policisë së burgjeve deri në 7%.

Sipas ministrisë së Financave, për vitin e ardhshëm rritje pagash do të kenë edhe diplomatët me mbi 20% të pagës. /o.l/. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.