MJEKËSI – Pse fetusi shkelmon barkun e nënës?

ROMË, 9 dhjetor /ATSH/ – Fetuset shpesh lëvizin dhe godasin barkun e nënës, sipas një studimi të Kolegjit Universitar të Londrës, të kryer nga një ekip specialistësh të udhëhequr nga Lorenzo Fabrizi dhe të botuar në portalin ”Medical Express”, shkruan gazeta italiane ”Il Messaggero’’.

Studiuesit bënë kërkime shkencore mbi 19 fëmijë të lindur në mes të 30 dhe 40 javëve të shtatzënisë, duke matur valët e tyre të trurit kur lëviznin gjymtyrët e tyre dhe duke zbuluar se çdo lëvizje aktivizonte një zonë të trurit.

Për më tepër, kjo marrëdhënie ka qenë më e dukshme në foshnjat e lindura para kohe.

Përfundimi i arritur nga shkencëtarët në bazë të këtyre të dhënave është se lëvizjet e fetuseve në fazat e fundit të shtatzënisë ndihmojnë në zhvillimin e zonave të trurit përgjegjës për informacion ndijor dhe i ndihmojnë ata të bëhen të vetëdijshëm për trupin e tyre.

Sipas studiuesve, ky studim mund të ndihmojë në ndërtimin e një mjedisi optimal të spitalit për foshnjat e lindura para kohe./   /os/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.