Gjiknuri në Fier: Dixhitalizim fondit të të dhënave teknike të hidrokarbureve

 

TIRANE, 9 dhjetor/ATSH/- Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, i shoqëruar nga drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore Ardian Bylyku dhe përfaqësuesi i kompanisë SHELL në Shqipëri Rohan D’Souza inspektuan ambientet e Arkivit Teknik Hidrokarbure në qytetin e Fierit.

Materialet që ndodhen në Arkiv e kanë fillesën e tyre që prej vitit 1927. Fondi i këtij arkivi përmban të gjitha dokumentet e shtetit shqiptar për hidrokarburet përfshirë: studime në fushën e gjeologjisë; studimet në fushën e teknologjisë së nxjerrjes; studimet në fushën e teknologjisë së shpimit; dosjet e puseve të naftës; kampione dhe shllame; të dhënat parësore fushore seismike në bobina, “cartridge”, sistem oshilografik dhe manjetik ashtu sikurse materiale të ndryshme të punimeve të kryera në ish-ndërmarrjen komplekse gjeofizike të naftës dhe gazit.

Në përmbushje të detyrimeve të saj ndaj shtetit shqiptar në kuadër të marrëveshjeve hidrokarbure të cilat ka nënshkruar, kompania SHELL Upstream Albania ka mundësuar financimin e procesit të dixhitalizimit të kësaj arkive si forma më e mirë për të shpëtuar materialet nga degradimi. Në fazën e parë do të investohen 500,000 paund për këtë projekt.

“Është arkiva hidrokarbure, një pasuri 100 vjeçare e shtetit shqiptar. Duke falenderuar kompaninë Shell për financimin e këtij projekti mendojmë që AKBN-ja në bashkëpunim dhe nën drejtimin e Ministrisë hap një histori të re për kërkimin dhe zbulimin e hidrokarbureve në Shqipëri. Ky projekt synon kopjimin dhe dixhitalizimin e të dhënave dhe përbën fazën e parë të dixhitalizimit. Kjo fazë do të pasohet më tej dhe nga ndërhyrjet e tjera që kërkon të ndërmarrë Ministria dhe AKBN-ja deri tek projekti për ‘multi client data’, duke i dhënë një perspektivë shumë të rëndësishme kërkimit dhe zbulimit të hidrokarbureve në vendin tonë”, u shpreh drejtori i AKBN-së Ardian Bylyku.

Ministri Gjiknuri theksoi se dixhitalizimi është një hap shumë i rëndësishëm drejt modernizimit të të dhënave për hidrokarburet.

“Do të bëjë të mundur të hidhen në format elektronik të gjithë shiritat, të gjithë të dhënat historike dhe kjo nuk ka vetëm efektin e një ruajtje më të mirë, por mbi të gjitha kjo vlen që ne të marketojmë më mirë pasuritë tona nesër për investitorë të huaj. Shumë shpejt do të hapim dhe garat për blloqet “off shore”, pra në detin Adriatik dhe Jon. Pasja e këtyre të dhënave elektronik dhe formatimi i tyre në mënyrën e duhur do të bëjë që ne të kemi mundësi të negociojmë kontrata më të mira, por edhe investitorët të njihen me të dhënat historike të të gjithë pasurive, në këtë rast pasurive hidrokarbure shqiptare”, nënvizoi ministri Gjiknuri.

Mjafton të shikojmë gjendjen e këtij arkivi, tha Gjiknuri, si janë mbajtur ato dhe do të kuptojmë në çfarë situate dhe në çfarë rreziku i kërcënoi humbjen e shumë të dhënave të cilat mund të mos rikuperoheshin më.

Përfaqësuesi i SHELL u shpreh i kënaqur që kjo kompani është pjesë e këtij projekti për të dixhitalizuar fondin e arkivit hidrokarbur.

“Ne e shohim veten si një partner i rëndësishëm i qeverisë shqiptare dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore. Jemi absolutisht të kënaqur që jemi pjesë e këtij projekti për dixhitalizimin e arkivës hidrokarbure. Puna është në vijim. Kemi zgjedhur kontraktorin që do të mund të kryejë punën për dixhitalizimin dhe kjo do të bëhet në bashkëpunim me AKBN-në”, u shpreh përfaqësuesi i SHELL Rohan D’Souza. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.