FOTO/ Këndi i ri rekreativ, argëtim dhe zbavitje për fëmijët e kryeqytetit

TIRANË, 9 Dhjetor/ATSH/- Dikur një ferishte e madhe, së shpejti do jetë një hapësirë rekreative moderne ku fëmijët mund të argëtohen dhe të kalojnë kohën e tyre të lirë.

Çdo ditë e më shumë, po merr formë sheshi i ri rekreativ në jug të Parkut të Madh dhe tashmë vogëlushët nuk do kenë më nevojë për të shkuar deri në det për të luajtur me rërë dhe varka.

Kjo pasi sheshi i ri do t’i ofrojë të dyja dhe rërën dhe një “varkë” të madhe lodër ku vogëlushët do shndërrohen në kapitenë e marinarë.

Specialistët e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit (APR) kanë bërë montimin e varkës shumëngjyrëshe, ku fëmijët do mund të luajnë dhe të zhvillojnë imagjinatën e tyre.

Krahas saj ky shesh do të shërbejë edhe si një hapësirë sportive për më të rriturit, pasi APR me mbështetjen e TIKA-s po monton edhe module lojërash sportive

Shumë prej banorëve që jetojnë në zonën e Kopshtit Zoologjik, Kopshtit Botanik apo Liqenit të Thatë do të kenë mundësi që të shfrytëzojnë një kënd fantastik lodrash.
Sheshi i ri rekreativ po ndërtohet në një nga hapësirat e papërdorura të Parkut të Liqenit, në zonën jugore të tij me një sipërfaqe totale 5500 metra katror.

Ky investim harmonizohet edhe me investimet e tjera të Bashkisë së Tiranës, si pistat e reja dhe shëtitorja e re perimetrale jug-perëndimore te Parku i Madh./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.