FMN-Tatimeve: Të vijohet më tej me reformat e nisura

TIRANE, 9 dhjetor/ATSH/- Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Xhavit Çurri zhvilloi takimin përmbyllës me misionin e asistencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Misioni i FMN-së i drejtuar nga Steve Vesperman, Këshilltar i Asistencës Teknike, përbëhej nga Allan Jensen ekspert i FMN-së për rajonin e Europës Juglindore, si dhe ekspertët e tjerë të jashtëm, Michael O’Grady, Paul Duffus dhe Telita Snyckers- Norgaard.

Gjatë fjalës së tij, Çurri falënderoi misionin e FMN-së për bashkëpunimin dhe ndihmën që po japin në arritjen e rezultateve pozitive në modernizimin e sistemit tatimor. DPT, tha Çurri, tashmë ka tregues konkretë se reformat bazë, si ajo e rritjes profesionale të burimeve njerëzore, proceset dhe teknologjia po japin rezultatet e duhura.

Nga ana e tij, Vesperman, vlerësoi progresin e bërë nga Administrata Tatimore, si dhe ecurinë e treguesve fiskalë. Ai theksoi nevojën për të çuar më tej reformat e nisura me qëllim arritjen e standardeve sa më të larta.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve mbetet e angazhuar për të vijuar procesin reformues, përmes planeve strategjike që do të sigurojnë zbatimin e praktikave më të mira ndërkombëtare, rritjen e perfomancës dhe përmbushjen vullnetare të tatimpaguesve.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, misioni i FMN-së zhvilloi takime për çështje të ndryshme me drejtoritë përkatëse në DPT./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.