Banesat sociale- 10 apartamente për gratë kryefamiljare në Patos

TIRANË, 9 Dhjetor/ATSH/- Dhjetë gra kryefamiljarë në qytetin e Patosit do të jetojnë së bashku me fëmijët e tyre në apartamente që ndodhen në një godinë të përshtatur enkas për to.

Kryetarja e bashkisë së Patosit, Rajmonda Balili, i dorëzoi ditën e djeshme çelësat e apartamenteve të tyre grave kryefamiljare, të cilat pas vështirësive që kanë hasur në jetën e tyre, tashmë kanë një strehë të sigurt ku të të jetojnë së bashku me fëmijët e tyre.

“Nga problematikat e evidentuara në çdo ditë të punës time nevoja për strehim të kësaj kategorie, gra kryefamiljare në nevojë ishte një nga prioritetet në aspektin social”, thekson për ATSH-në kryetarja Balili.

Ajo tregon se “në një nga objektet pronë e bashkisë pa funksion dhe e amortizuar ndër vite ne projektuam dhe fituam financimin nga qeveria shqiptare për rikonstruksionin dhe shtimin e hapësirave dhe përshtatjen për apartamente për strehim social për këtë kategori grash”.

“Mbas përfundimit të investimit vazhdoi procedura e vlerësimit të kërkesave dhe miratimit të listës fituese në këshillin bashkiak”, nënvizon Balili.

Kjo, vijon ajo, na hapi rrugën për përfundimin e këtij procesi duke nënshkruar kontratat me 10 gra kryefamiljare në nevojë dhe dje u dorëzuam çelësat dhe hapësirat e apartamenteve për secilën nga 10 familjet.

“Godina ka 12 apartamente nga të cilat dy janë mbajtur nga bashkia për çdo rast të trajtimit të emergjencave”, sqaron Balili.

Kryetarja e bashkisë së Patosit shprehet se “në vazhdimësi bashkia do të aplikojë në donatorë apo me biznese të bashkisë për t’i ardhur në ndihmë këtyre grave edhe me mobilimin e tyre në rast nevoje”./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.