Zgjidhen 9 anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi

112

TIRANË,7 dhjetor /ATSH- I. Vata/ – Kuvendi ka zgjedhur me short nëntë emrat e rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED).

Shorti i hedhur në Kuvend u zhvillua në prani të Avokatit të Popullit; përfaqësuesve nga Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë; përfaqësuesve të grupeve parlamentare; anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Monitorimit; përfaqësuesve të përfaqësive të huaja diplomatike të akredituara në Republikën e Shqipërisë dhe organizatave partnere ndërkombëtare.

Në përbërjen e KED-së janë dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga Gjykatat e Apelit, si dhe një gjyqtar nga Administrativja.

Ngritja e KED do të plotësojë shtatë vende vakante në Gjykatën Kushtetuese.

Presidenti Ilir Meta kishte afat për të hedhur shortin deri më datë 5 dhjetor, por kreu i shtetit ashtu si edhe një vit më parë vendosi që të mos e hedhë shortin pasi, sipas tij, ka një vakum ligjor

Hedhja e shortit për KED është kundërshtuar nga deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, i cili është i pranishëm në sallën ku edhe do të përzgjidheshin nëntë emrat.

“Është në kundërshtim me ligjin hedhja e shortit. E thotë dhe Presidenti. Mungon baza ligjore. Dispozitat tranzitore kanë vdekur. Kjo është hera e dytë që uzurpohen kompetencat e Presidentit. Bllokuat dy herë funksionin e KED me pretendimin se s’mund të funksiononin pa kaluar Vetingun. Bllokuat ngritjen e Gjykatës Kushtetuese”, – tha deputeti i PD-së.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi u shpreh se letrën e Presidentit për shortin e kishte konsultuar me ekspertët ligjorë të Kuvendit, EURALIUS-it, OPDAT-it.

Ruçi njoftoi se për shortin e KED-it, Gjykata Kushtetuese kishte sjellë dy kandidatura, ndaj dhe nuk mund të hidhej shorti pasi dy kandidaturat vlerësohen automatikisht të zgjedhur.

Nga Gjykata Kushtetuese u zgjodhën anëtarë Vitore Tusha dhe Bashkim Dedja.

Nga Gjykata e Lartë u përzgjodh Ardian Dvorani, zëvendësues Medi Bici

Nga Gjykata e Lartë nga tre kandidatët Ardian Dvorani, Edmond Islamaj, Medi Bici ka fituar Ardian Dvorani dhe zëvendësuesi Medi Bici.

Erjol Roshi fiton nga Gjykata Administrative, Klodiana Veizi Mema zëvendësuese.

Gjykata Administrative ka dërguar 16 kandidatë për KED-në, ndërsa fituese ka dalë Erjol Roshi, ndërsa zëvendësuese është Klodiana Veizi Mema.

Nga 14 kandidatë nga Gjykata e Apelit fitues ka dalë Fatri Islamaj dhe Margarita Buhali, ndërsa zëvendësues është zgjedhur Gurali Braimllari.

Me ngritjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, hapi i radhës është plotësimi i vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, duke i rikthyer asaj funksionimin. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.