“Unaza e Re”, Basha: Projekt i vjedhjes, jo i zhvillimit

TIRANË, 7 dhjetor/ATSH/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në fjalën e tij të mbajtur në protestën e zhvilluar në zonën e “Astirit” ka akuzuar sërish qeverinë për projektin e “Unazës së Re”.

Basha e cilësoi projektin si një përpjekje për të vjedhur dhe jo për të zhvilluar.

“Ka më shumë se 2 muaj që ky është projekt vjedhjeje, jo zhvillimi. Është projekt vjedhje, e dinim ne, e dinë dhe banorët, e dinin dhe gazetarët dhe tani ka dalë haptazi para syve të të gjithë botës. Është projekt vjedhjeje dhe pastrimi parash. Për të marrë këto para do shkatërronin shtëpitë e banorëve. Këta banorë qëndruan ditë e natë këtu, dhe u përballën. Rama e Veliaj i quajtën ‘shpellarë’, të pasur me nga 4-5 shtëpi, arrestuan djem e vajza dhe i çuan në qeli, i mbytën me propagandë kundër të gjithëve që i kundërshtonin. E kanë humbur davanë, tani kanë frikën e karriges. Është ulur Rama kokë më kokë me bandën e hajdutëve për të vendosur si do vjedhin këtu. Gjithë këto vjedhje. Nuk ja dolën dot, se banorët qëndruan. Banorët e bashkuar përcaktuan triumfin e të vërtetës. Deshën t’i varrosin brenda 10 ditëve, po nuk ia dolën. Edhe kur këtu erdhën 1000 policë, për të dhunuar banorët. Kush ka fuqi të qëndrojë pas këtyre parave? Edi Rama, hajduti i kësaj afere. Ky është mësimi i protestës së “Astirit”, të protestës së studentëve. Për 48 orë e futën Ramën poshtë minderit. Por beteja nuk ka përfunduar”, – tha Basha./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.