Unaza e Madhe- Lame: Në zonën e Kasharit 49 legalizime gjatë 8 viteve

57

TIRANË, 7 dhjetor/ATSH/- Kryetari i Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI), Artan Lame theksoi se “në zonën e Kasharit, përgjatë gjithë 8 vjetëve të qeverisjes 2006-2013 janë bërë 49 legalizime. Dhe nga këto 49 legalizime 40 janë bërë vetëm në periudhën mars-shtator 2013”.

Në një konferencë për shtyp, Lame tha se “legalizimi i fundit është bërë në 10 shtator, ndërsa Qeveria e re krijohej në 11 shtator”.

TIPOLOGJIA E LEGALIZIMEVE:
2006-2013: 2014-2018:
Legalizime në zonën e Kasharit 49 1057
Legalizime përgjatë Unazës së Madhe 38 3

“Në muajt e fundit të vitit 2013, në një nga daljet e para publike kemi denoncuar legalizimet abuzive. Në atë kohë unë i bëra thirrje institucioneve ligjzbatuese që e kishin gjithë mbështetjen tonë për të hetuar rreth tyre. Dhe përgjatë këtyre viteve, sa herë që nga institucionet na janë paraqitur problematika, ato janë ndjekur dhe mbështetur nga ana jonë”, nënvizoi Lame.

Sipas tij, situata e ndërtimeve pa leje në zonën e Unazës së Madhe, s’bëri gjë tjetër veç vuri edhe një herë në dukje shfrytëzimin politik dhe talljen historike me hallin e atyre banorëve.

Sipas tij, mirë që i kanë bërë këto legalizime në muajt e fundit të qeverisjes së tyre, por as atë plan rregullues që kishin bërë vetë nuk e kanë respektuar.

Përsa i përket fenomenit të legalizimeve në tokë me pronar, Lame theksoi se “kategoria më e dhimbshme dhe revoltuese, është ajo e legalizimeve në troje me pronarë legjitimë. Ligji i Legalizimeve i vitit 2006, ndërpret procesin e legalizimit të ndërtimit kur trualli është me pronarë dhe aty parashikohen ndërtime të larta. E tillë ka qenë një pjesë e konsiderueshme përgjatë Unazës së Madhe nga ana e brendshme sipas vetë Planit rregullues të Bashës”.

Së fundmi, vijon ai, me publikimin e legalizimeve në atë zonë, morëm disa ankesa të ish pronarëve që tani morën vesh se në trojet e tyre janë bërë legalizime.

“Nga ana jonë janë evidentuar një nga një këto legalizime dhe është përgatitur materiali për referimin e tyre në organet ligjzbatuese”, tha Lame.

Lidhur me fenomenin e mbledhjes së parave dhe mosbërjes së legalizimit, Lame sqaroi se “në shumë raste jemi ndeshur me fenomenin kur qytetarëve ju merreshin paratë e tokës edhe kur dihej qartë që aty nuk mund të bëhej legalizimi. Kjo bëhej me qëllimin e momentit sa për të mbushur buxhetin e shtetit, pa vrarë mendjen për fatin e mëtejshëm të këtyre qytetarëve”.

Në zonën e Unazës së Madhe, vijoi ai, deri tani janë identifikuar deri tani 12 raste të tilla.

“Nga ana jonë janë njoftuar të gjithë këta qytetarë që kemi filluar procedurat e kthimit të parave të paguara. Të gjithë qytetarët që kanë paguar paratë sipas këtij mekanizmi do t’i marrin ato mbrapsht. Ky nuk është një lëshim që po ju bëhet këtyre qytetarëve, por një e drejtë e tyre dhe një procedurë që e kemi zbatuar sa herë jemi gjendur përpara kësaj situate. Nëse ka mbetur ndonjë prej tyre i panjoftuar, apo që ka ende pretendime, të paraqitet pranë zyrave tona”, theksoi Lame./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.