“Unaza e Madhe”, ARRSH pezullon punimet në segmentin nga Ura e Lanës deri te sheshi Shqiponja

85

TIRANË, 7 dhjetor/ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar reagoi sot pas materialit të transmetuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Të Paekspozuarit” në televizionin News 24 për garën e zhvilluar për njërin prej 3 loteve të projektit të Unazës së Madhe të Tiranës, segmenti Pallati me Shigjeta-Sheshi Shqiponja.

Në kuadër të transparencës ndaj opinionit publik, ARRSH sqaron se “procedura e prokurimit është zhvilluar në përputhje me ligjin Nr.9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar, VKM-së Nr.914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të Prokurimit Publik” e ndryshuar”.

Kjo procedurë bazuar në detyrimet ligjore të mësipërme, sipas ARRSH-së është procedurë e hapur, e zhvilluar në mënyrë elektronike përmes Agjencisë së Prokurimeve Publike.

Autoriteti kontraktor ka nënshkruar kontratën me bashkimin e përkohshëm të operatorëve ekonomik “Biba X shpk” dhe “DH Albania” shpk- degë e shoqërisë së huaj, pasi ka konstatuar që dokumentet janë në përputhje me kriteret e dhëna në dokumentet e tenderit.

“Operatori ekonomik “DH Albania shpk- degë e shoqërisë së huaj”, pjesë e këtij bashkimi, ka paraqitur dokumentacionin të përkthyer dhe të noterizuar në gjuhën shqipe, ku kompania mëmë “Dunwell Haberman” rezulton e regjistruar dhe ushtron aktivitetin në një prej shteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, konkretisht në shtetin Delaware”, deklaron ARRSH.

“Në përmbushje të kritereve të dhëna në dokumentet e tenderit ka bërë regjistrimin në Qendrën Kombëtare të Bizneseve dhe njësimin e licencës duke respektuar Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 42 datë 16.01.2008, “Për miratimin e rregullores për kriteret dhe procedurat e dhënies së licencave profesionale të zbatimit, klasifikimit dhe disiplinimit të subjekteve juridike që ushtrojnë veprimtari ndërtimi”. Njësimi i saj ka konkluduar me një nivel maksimal të licencimit, bazuar në veprimtarinë ekonomike të saj në vendin e origjinës, duke mbajtur kategoritë maksimale (kategoria G)”, vijon ARRSH.

Autoriteti Rrugor Shqiptar konfirmon se nuk ka pasur ndonjë indicie që vë në dyshim vërtetësinë e dokumenteve të paraqitura, e cila do mund të çonte në një procedurë verifikimi paraprak.

Po ashtu, ARRSH sqaron se “kontrata e nënshkruar me këtë bashkim operatorësh në fjalë për këtë lot të Unazës nuk ka prodhuar asnjë efekt financiar për Buxhetin e Shtetit”.

Në funksion të sqarimit të plotë të situatës dhe pretendimeve të shfaqura në emisionin “Të Paekspozuesit”, ARRSH i është drejtuar institucioneve që përmes komunikimit me rrugë zyrtare t’u kërkohet autoriteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të verifikuar dokumentet e paraqitura në institucionet shqiptare nga kompania në procedurën e garës.

ARRSH njofton se deri në sqarimin e situatës dhe përgjigjen nga autoritetet amerikane nuk do të vijohet me aktivitetin ndërtimor të kësaj kompanie për lotin Nr. 1 të segmentit, që shtrihet nga Ura e Lanës deri tek mbikalimi i sheshit Shqiponja.

“Në rast se autoritetet amerikane do të konfirmojnë zyrtarisht pretendimet për falsifikime dokumentacioni nga kjo kompani, në zbatim të përcaktimeve ligjore, Autoriteti Rrugor Shqiptar do të zgjidhë kontratën në mënyrë të njëanshme dhe do ndjekë procedurat e tjera të përcaktuara në ligj. Në rast të zgjidhjes së kontratës, ARRSH do të rifillojë menjëherë procedurat e prokurimit për këtë lot për të mundësuar përfundimin në kohë të këtij projekti të rëndësishëm për kryeqytetin”, thuhet në njoftimin për shtyp të ARRSH-së.

Autoriteti Rrugor Shqiptar garanton opinionin publik se është i vendosur të mbrojë maksimalisht interesat e shtetit shqiptar duke zbatuar përcaktimet ligjore për çdo situatë të tillë. /m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.