Takim ndërinstitucional për parandalimin e gjuetisë së paligjshme në Gjirokastër

TIRANË, 7 dhjetor / ATSH / – Në kuadër të zbatimit të marrëveshjes së bashkëpunimit për parandalimin e gjuetisë në qarkun e Gjirokastrës, në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, u organizua një takim midis AdZM Gjirokastër, IShMPUT, dhe Shoqatës së Gjuetarëve të rrethit, ku u diskutuan masat që do të ndërmerren nga këto institucione për parandalimin dhe ndëshkimin e personave që ushtrojnë gjuetinë e gjallesave të egra, këtë aktivitet të paligjshëm.

Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte që të ruhen shpendët dhe kafshët e rralla të zonës dhe e krejt faunës së egër në zonat pyjore të qarkut Gjirokastër. Qarku i Gjirokastrës ka zona të mbrojtura ku rriten dhe shumohen specie të rralla të faunës sonë si kaprolli, derri i egër, dhia e egër, ariu apo shpendë që rrezikuan zhdukjen e tyre si Kali i Qyqes.

Parku Kombëtar i Hotovës, apo Parku Natyror i Zagorijes, janë habitate të kafshëve dhe shpendëve të rrallë, që janë shumuar me vendosjen e moratoriumit.

/n.lena/a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.