Soreca: Bashkëpunimi rajonal përshpejton integrimin në BE

57

TIRANË, 7 dhjetor /ATSH- I. Vata/ – “Bashkëpunimi rajonal nuk është zëvendësim për integrimin europian. Përkundrazi, ajo do të përshpejtojë përparimin e rajonit drejt integrimit. Bashkëpunimi rajonal nënkupton lidhjen e tregjeve, ekonomive dhe, më e rëndësishmja, njerëzit e rajonit”, u shpreh ambasadori Luigi Soreca në Forumin Ekonomik të Tiranës: “Ndryshimet e Pushtetit Global: Ndikimi i Shqipërisë dhe Rajonit”.

“Bota ndodhet në një moment të vështirë. Ose, për ta thënë me fjalët e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini: Bota po kalon një moment kaosi dhe konfuzioni. Europa – dhe me Europë nënkuptoj si Bashkimin Europian ashtu dhe Ballkani Perëndimor – po e gjen veten të rrethuar nga kriza dhe konflikte”, u shpreh në fjalën e tij ambasadori, Luigi Soreca.

Duke bërë një analizë të situatës së trazuar në botë, Soreca shton se: “Lufta në Siri ende nuk ka mbaruar. Një sulm ndaj Idlibit mund të ketë pasoja shkatërrimtare humanitare dhe mund të rezultojë me flukse të reja refugjatësh. Kriza në Ukrainë rrezikon të përshkallëzohet pas lëvizjeve të fundit të Rusisë në detin Azov. Në Libi, situata e sigurisë vazhdon të jetë e brishtë. Edhe më larg, sfidat globale gëlojnë: zhvillimet në Afganistan, Venezuelë dhe në Korenë e Veriut, për të përmendur vetëm disa, të gjitha kanë një ndikim të drejtpërdrejtë mbi Europën dhe angazhimin e saj global.

Ndërkohë, shton Soreca, se normat ndërkombëtare dhe sistemi global multilateral po vihen në pikëpyetje dhe po minohen. Ne ndiejmë gjithnjë e më shumë pasojat e ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike, të dezinformimit dhe kërcënimeve të tjera hibride.

“Reagimi i Bashkimit Europian ndaj atyre sfidave të jashtme ka qenë një nivel i pashembullt i unitetit dhe ndjesisë së motivimit. Marrëdhëniet ndërkombëtare dhe siguria globale nuk janë lojëra me rezultat zero, por mund të jenë marrëdhënie ku të fitojnë të gjitha palët. Përballë çrregullimit global, BE-ja është e vendosur të promovojë një rend botëror më bashkëpunues, bazuar në një multilateralizëm më efektiv. Ne po punojmë për të mbështetur marrëveshjen bërthamore me Iranin, një marrëveshje multilaterale mospërhapjeje që e ka bërë Europën dhe botën më të sigurt. Ne promovojmë zbatimin e Marrëveshjes së Parisit mbi ndryshimet klimaterike. Ne përfundojmë marrëveshje të reja dhe ambicioze tregtare, të cilat forcojnë partneritetet, krijojnë vende pune dhe mbrojnë standardet sociale dhe mjedisore. Ne gjithashtu punojmë ngushtësisht me Bashkimin Afrikan dhe me Kombet e Bashkuara për të frenuar sfidën e migrimit”, tha ambasadori.

Po ashtu ambasadori i BE-së në Tiranë Soreca shprehet se “Në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian ka ndërmarrë hapa të paprecedentë gjatë dy viteve të fundit për të thelluar bashkëpunimin për mbrojtjen në nivel evropian – forcimi i aftësive tona mbrojtëse dhe investimi i përbashkët në inovacione, kërkime dhe zhvillimi i teknologjisë dhe pajisjeve të mbrojtjes. Ne gjithashtu kemi rritur bashkëpunimin tonë me vendet partnere dhe në veçanti me NATO-n. Kurrë në të kaluarën BE-ja dhe NATO-ja nuk kanë punuar kaq ngushtësisht së bashku”.

Duke iu kthyer situatës në Shqipëri ambasadori i BE-së Soreca shtron pyetjen: Tani, ku e lë kjo Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor?

“Nëse mësimet e kombeve të tilla si Gjermania, Franca dhe Italia kanë qenë se janë shumë të vegjël për t’u përballur të vetëm me çrregullimin e ri global, atëherë kjo sigurisht që është e vërtetë për Shqipërinë dhe fqinjët e saj. Në një kohë kur bashkëpunimi global po sfidohet, vlera e bashkëpunimit rajonal bëhet edhe më e rëndësishme. Kjo do të thotë bashkëpunim politik dhe, sërish këtu në rajon, pajtim. Por kjo do të thotë sigurisht edhe bashkëpunim ekonomik dhe ndërlidhje e zgjeruar – dhe e them këtë jo vetëm sepse ky është Forumi Ekonomik i Tiranës. Kjo është ajo ku përparimi do të ketë ndikimin më të prekshëm në jetët dhe mjetet e jetesës së popullit të rajonit”, tha ai.

Duke folur për tregjet në rajon dhe investimet e BE-së në rajon, Soreca shton se “Është thënë edhe më parë, por më lejoni ta përsëris: një bashkëpunim i tillë rajonal nuk është një zëvendësim i integrimit europian. Përkundrazi, ai do ta përshpejtojë përparimin e rajonit drejt anëtarësimit në BE. Ndërkohë që pushteti global mund të zhvendoset, realiteti ekonomik mbetet shumë i qartë. Lidhjet ekonomike të BE-së me rajonin nuk kanë qenë kurrë më të forta. Investimet e BE-së në rajon po rriten. Tregtia jonë e ndërsjellë po rritet. Më lejoni të citoj vetëm shifrat për Shqipërinë: 66% e tregtisë së Shqipërisë është me Bashkimin Europian, më shumë se gjysma e të gjitha investimeve të huaja direkte vjen nga BE-ja – pothuajse 4 miliardë euro”, tha ai.

Më tej ambasadori Soreca thekson se “është bërë shumë përparim me ndërlidhjen gjatë pesë viteve të fundit, veçanërisht në kontekstin e procesit të Berlinit. Lidhjet e transportit dhe energjisë janë përmirësuar, jo më pak falë ndihmës së konsiderueshme të BE-së. Komisioni Europian ka vënë në dispozicion 1 miliard euro për projektet e ndërlidhjes në rajon. Shembuj të projekteve të infrastrukturës të mbështetura nga BE-ja këtu në Shqipëri përfshijnë hekurudhën Tiranë-Durrës dhe rindërtimin e portit të Durrësit. Kanë filluar gjithashtu studimet e fizibilitetit për autostradën Adriatik-Jon”.

Po ashtu Soreca shprehet se: “Por infrastruktura fizike, sado e rëndësishme të jetë, është vetëm një pjesë e tablosë. Për të lidhur tregjet, ekonomitë dhe popujt e rajonit, ne duhet të ndërtojmë kuadrin e duhur ligjor dhe rregullator. Ja pse Zona Ekonomike Rajonale është kaq e rëndësishme. Më shumë se 80000 vende pune mund të krijohen në të gjithë Ballkanin Perëndimor përmes integrimit më të thellë ekonomik. Dhe integrimi më i thellë ekonomik do të forconte gjithashtu qëndrueshmërinë e rajonit ndaj goditjeve globale ekonomike dhe gjeopolitike”.

“Gjatë dy viteve të fundit është bërë progres drejt një Zone Ekonomike Rajonale të vërtetë, gjithashtu në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore. Ajo çka është arritur duhet të ruhet dhe të mos vihet në rrezik. Tema jonë këtë mëngjes kanë qenë ndryshimet e pushtetit global dhe si të reagojmë ndaj tyre. Unë jam përpjekur t’ju jap një përgjigje të gjatë. Përgjigja e shkurtër do të ishte: unitet dhe bashkëpunim. Unitet brenda BE-së, unitet brenda NATO-s dhe bashkëpunim mes të gjithëve ne. Uniteti është një parakusht themelor për sigurinë dhe prosperitetin tonë. Bashkimi Europian do të vazhdojë të punojë me Shqipërinë dhe rajonin drejt këtij qëllimi”, tha në fund ambasadori i BE-së, Soreca. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.