Skema e ndihmës ekonomike, SHSSH jep një lajm të rëndësishëm

40

TIRANË, 7 dhjetor/ATSH/- Familjet që duan të aplikojnë për të qënë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike, do të mund të aplikojnë edhe pas datës 10 dhjetor.

Lajmi është bërë i ditur nga Shërbimi Social Shtetëror, që sikurse ndodhi edhe muajin e kaluar, edhe ketë muaj do të ndiqet e njëjta procedurë duke i dhënë mundësinë çdo familjeje të mos penalizohet nga një e drejtë që u takon.

Ky vendim i marrë nga SHSSH vjen si masë e marrë ndaj vonesave të mbledhjeve të këshillave bashkiakë në qarkun Shkodër. Vonesa e mbledhjeve të këshillave bashkiakë është arsyeja kryesore pse vendimi për përfituesit e muajit nëntor nuk ka dalë ende.

“SHSSH sqaron gjithashtu se ndërhyrjet e bëra në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Ndihmës Ekonomike synojnë rritjen e performancës së regjistrit, duke i shtuar raporte dhe module të reja që ndihmojnë në kontrollin më të mirë të skemës së NE në mënyrë që çdo familje realisht e varfër të përfitojë. Drejtoritë Rajonale të SHSSH kanë mbështetur teknikisht administratorët shoqërorë në të gjitha rastet kur është paraqitur një shqetësim apo paqartësi nga ana e tyre. SHSSH nxit këshillat bashkiakë të mblidhen brenda afateve të përcaktuara në mënyrë që procesi i verifikimeve të familjeve aplikuese të kryhet sa më shpejt dhe vendimet të merren brenda afateve ligjore të përcaktuara”, – sqaron Shërbimi Social.

Procesi i aplikimit do të vazhdojë edhe pas datës 10 dhjetor jo vetëm në qarkun Shkodër, por në të gjithë Shqipërinë. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.