Shkodër, hapet “Panairi i punës dhe biznesit”, bashkëpunim me misionin e BE-së

54

TIRANË,7 dhjetor /ATSH- I. Vata/ – Bashkia Shkodër në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Europian në Shqipëri dhe projektin SEED, ka organizuar sot “Panairin e Punës dhe Biznesit”.

“Ky aktivitet realizohet në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet pushtetit vendor, institucioneve lokale, universitetit, bizneseve dhe punëkërkuesve, me qellim promovimin e forcës aktive të punës dhe promovimin e produkteve dhe shërbimeve të bizneseve sipas sektorëve të ndryshëm të ekonomisë”, tha kryetarja e bashkisë Voltana Ademi.

Po ashtu Ademi shton se Panairi i Punës dhe i Biznesit ka qenë një mundësi e mirë për prezantimin e bizneseve pjesëmarrëse. “Ata kanë pasur mundësi të paraqesin aktivitetin e tyre, por edhe të bëjnë thirrje për të gjithë të interesuarit për një vend pune”, tha ajo.

“Kështu, panairi i sotëm ka përmbushur plotësisht qëllimin, duke bërë të mundur vënien në funksion të parimit të tregut të punës kërkesë-ofertë”, tha Ademi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.