“Sherlok Holms dhe Langoi i Baskervillëve” premierë në Teatrin Metropol

60

TIRANË, 7 dhjetor /ATSH/ – Shfaqja teatrore “Sherlok Holms dhe Langoi i Baskervillëve” nga Ken Ludvig me regji nga Shkëlqen Berisha është premiera e fundit këtë vit për publikun në Teatrin Metropol.

Në këtë shfaqje disa prej aktorëve luajnë dy deri në trembëdhjetë karaktere. Në komedinë “Sherlok Holms dhe Langoi i Baskervillëve”, që vjen premierë më datë 13 dhjetor, me regji dhe përkthim nga Shkëlzen Berisha interpretojnë aktorët Amri Hasanlliu, Ermir Hoxhaj, Gentian Hazizi, Herion Mustafaraj, Klodjana Keco, Mirela Naska dhe Rozi Kostani.

Në materialin mbi veprën teatrore përshkruhet se Langoi i Baskervillëve bashkon dy zhanre letrare popullore: përrallën gotike dhe trillin e letërsisë detektive, duke mbajtur kështu kureshtjen e publikut të ngacmuar nga suspanca për të lidhur fijet e ngjarjeve dhe shijuar në maksimum proçesin e zbulimit.

Sherlok Holms sulmon legjendën e mallkimit Baskerville me armën e arsyes dhe të metodave shkencore të vëzhgimit, analizës dhe përfundimit. Megjithatë, kur Sherlok Holms nuk është në tregim dhe dr. Watsoni drejton komplotin, elementët gotikë e marrin përsipër rrjedhën e tij. Në krijimtari nuk ka një libër të dytë që të jetë marrë më shumë seriozisht personazhi sesa autori.

I hyrë në legjendë si një prej krijesave më të jashtëzakonshme dhe jetëgjata të fantazisë letrare, Sherlok Holms ka një aftësi të mrekullueshme për observim dhe deduktim: është i ftohtë, logjik, i rezervuar por edhe i gatshëm për veprim. pëlqen ta përcaktojë vetveten si një “tru, gjithë pjesa tjetër është një shtojcë”.

Premiera më vjen për publikun më 13 dhjetor për të vijuar dhe në datat 14, 15, 16, 20, 21, 22, 23 në Teatrin Metropol. /a.a//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.