SHBA mbështetje Kosovës për rritjen e sigurisë

PRISHTINË, 7 dhjetor /ATSH/ – Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, pranoi një donacion me pajisje nga Ambasada e SHBA-ve, përmes ICITAP/INL.

Përveç tri veturave të përdorura, të cilat do t’i ndahen IPK-së, AKF-së, në listën e pajisjeve të dhuruara janë dhjetra kompjuter dhe orendi për zyrë.

Qëllimi i dhurimit të këtyre pajisjeve është që t’u ndihmohet agjencive pranuese për operim të përditshëm në terren, krijimin e një laboratori për mësimin e gjuhës angleze dhe përmirësimin e ambientit dhe kushteve të tyre të punës.

Ministri Mustafa e falenderoi Ambasadën e SHBA-ve për mbështetje të vazhdueshme dhe kontributin e dhënë në ngritjen e kapaciteteve te organeve ligj zbatuese.

Drejtoresha e INL-it për Kosovë, Tracy Whittington si dhe Menaxherja e Programit të ICITAP-it/Departamenti i Drejtësisë, Kimberly Riffe ri-konfirmuan vazhdimin e mbështetjes për MPB-në, në përmbushjen e obligimeve të tyre ligjore dhe rritjen e nivelit të sigurisë në Kosovë. /e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.