Rrëzohet propozimi i PD për vetingun në politikë

43

TIRANË, 7 dhjetor/ATSH/ – Komisioni i Ligjeve dhe Këshillit për Legjislacionin ka rrëzuar në parim me 12 vota kundër dhe 8 pro, projektligjin e Partisë Demokratike “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 84/2017, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, i njohur ndryshe si vetingu në politikë.

Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, Këshilli për Legjislacionin dhe Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zhvilluan një mbledhje të përbashkët, sipas kalendarit të miratuar, për të vijuar me procedurën e shqyrtimit të projektligjit, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 84/2017, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, diskutimin në parim, nen për nen dhe miratimin e raportit për seancë plenare.

Relatori, Oerd Bylylbashi dhe Vasilika Hysi, paraqitën mbledhjes së përbashkët draftraportin me mendimin e opozitës dhe të shumicës parlamentare për nismën.

Në fjalën e tij, deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi u shpreh: “Mund të bëjmë përmirësime ligjore nëse nisma shqyrtohet nen për nen, të miratojmë ndryshimet kushtetuese, e më pas të bëjmë ligjin e posaçëm për Vetingun në politikë”.

Ndërsa, zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi theksoi se Komisioni i Venecias ka gjetur probleme në draftin e propozuar nga opozita.

“Komisioni i Venecias na ka dhënë leksion, se Vetingu i gjyqtarëve nuk është i njëjtë me atë në politikë. Të mos e miratojmë nismën e PD dhe LSI në seancën plenare” – u shpreh Hysi, kurse deputeti i PD-së, Bylykbashi u shpreh se Komisioni i Venecias ka bërë me dije se qëllimi i draftit ishte legjitim, ndërsa gjithë të tjerat janë teknikalitete.

Anëtarët e mbledhjes së përbashkët zhvilluan diskutime të shumta në parim për nismën.

Sipas Rregullores së Kuvendit, raporti i shumicës parlamentare dhe mendimi i pakicës parlamentare për këtë projektligj do të publikohen në faqen zyrtare të Kuvendit dhe do t’i paraqiten për shqyrtim seancës plenare. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.