Ndalimi i gjuetisë, shfaqet rrëqebulli në rezervatin natyror Stravoj-Sopot

86

TIRANË, 7 dhjetor /ATSH/ – Moratoriumet e gjuetisë në pyje po japin rezultat, duke sjellë rigjenerim të faunës së egër. Gjithashtu edhe kujdesi i vazhdueshëm i stafeve të zonave të mbrojtura po dëshmojnë çdo ditë rigjenerimin e faunës së egër në vendin tonë.

Vendosja e moratoriumit për ndalimin e gjuetisë, ka bërë të mundur mbrojtjen dhe shtimin e kafshëve në masivet e pyjeve të Rezervatit Natyror të Menaxhuar Stravoj-Sopot.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi tha se moratoriumi i gjuetisë rezulton një sukses i padiskutueshëm. “Rrëqebulli, një nga speciet në zhdukje në Shqipëri️ dhe Ballkan është regjistruar nga kamerat kurth në masivet e pyjeve të Rezervatit Natyror të Menaxhuar Stravoj-Sopot, më datë 1 dhjetor”, tha ai.

”Pas malit të Munellës, ky është një tjetër habitat i banuar nga rrëqebulli. Kamerat kurth kanë regjistruar edhe praninë e kafshëve të tjera që i shtohen faunës së egër në vendin tonë”, shprehet ministri Klosi. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.