Muze në Rahovec për shkrimtarin e madh, Sulejman Krasniqi

121

RAHOVEC, 7 dhjetor/ATSH/- Një muze kushtuar Sulejman Krasniqit, shkrimtarit të madh shqiptar pritet të ndërtohet në komunën e Rahovecit.

Kështu u shpreh kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, gjatë punimeve të konferencës së zhvilluar sot në kuadër të 81-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të njohur, i cili ndërroi jetë në vitin 2011.

Latifi u shpreh se “do t’i propozoj kuvendit të komunës që të ngremë një shtëpi-muze kushtuar shkrimtarit, si dhe për ndarjen e çmimit Sulejman Krasniqi”.

Më tej, kryetari Latifi theksoi se “krijimtaria letrare e Krasniqit ishte kryekëput atdhetare dhe heroike. Heronjtë realë dhe imagjinarë të Sulejman Krasniqit e donin atdheun e tyre dhe për të u flijuan gjatë gjithë historisë”.

“Këta heronj ishin frymëzim për qëndrestarët e shumtë të kësaj ane, të cilët i qarkullonin nën dorë librat e tij dhe i lexonin me ëndje dhe krenari. Këta heronj të Sulejman Krasniqit, shërbyen për të ngritur ndjenjën atdhetare dhe i bënin krenarë brezat e shumtë, të cilët ndonëse nën dhunën e presionin e pushtuesit serb, megjithatë gjenin hapësirë për të mësuar historinë e vërtetë të popullit tonë”, theksoi Latifi.

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, vlerësoi organizimin e kësaj konference, ku studiues, akademikë, lexues shkëmbyen ide, mendime dhe vlerësime për veprën e shkrimtarit të madh. /k.s/ /e.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.