Krijimi i KLGJ dhe KLP, Ambasada e SHBA: Hap madhor për drejtësinë e vërtetë

58

TIRANË, 7 dhjetor/ATSH/ – Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë u ka bërë thirrje gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë, që të shërbejnë në organet e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Sipas ambasadës së SHBA, me krijimin e këtyre dy institucioneve, Shqipëria është drejt krijimit të një sistemi drejtësie i cili u shërben interesave të qytetarëve.

“Këtë vit, Ambasada e SHBA iu ka bërë thirrje gjyqtarëve dhe prokurorëve të ndershëm, patriotë dhe me integritet për t’i shërbyer vendit të tyre në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Me formimin e këtyre dy institucioneve të drejtësisë në horizont, Shqipëria është në prag të krijimit të një sistemi drejtësie që i shërben vërtet interesave të qytetarëve të saj. Javën e ardhshme presim me kënaqësi përzgjedhjen e anëtarëve, të gjithë të cilët kanë kaluar tashmë Vetingun, duke shënuar kështu hapin tjetër madhor drejt drejtësisë së vërtetë”, shkruan Ambasada e SHBA në faqen zyrtare. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.