Kapen me kallëpë minash me telekomandë, në pranga 2 persona

53

TIRANË, 7 dhjetor/ATSH- A. Fortuzi/- Policia e Durrësit ka arrestuar dy persona të cilëve iu gjet lëndë plasëse. Policia arrestoi dy shtetasit në kuadër të operacionit “Muzgu”, ndërsa sekuestroi tre kallëpë mina me telekomandë

Sipas njoftimit të policisë, “Si rezultat i operacionit “Muzgu” janë arrestuar në flagrancë dy shtetas, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive” e kryer në bashkëpunim, konkretisht: Artan Bruka, 38 vjeç, banues në Kukës dhe Halil Gjana, 26 vjeç,  banues në Kukës.

Mbi bazën e informacioneve të  marra në rrugë operative nga ana e Strukturave policore se shtetasit e mësipërm trafikonin lëndë plasëse, në momentin e arrestimit të tyre në Thumanë, brenda një çante në ngjyrë të zezë i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale: tre kallëpe cilindrike të mbështjellë me letër karte-pecete dhe nadirban transparent,  ku ishin të vendosura tre kapsolla detonatorë të lidhura me tel përcjellës të kapura me nadirban, ku në anën tjetër ishin të bashkuara me dy aparate celularë të markës “Nokia”.  Kallëpet ishin me peshë rreth 225, 240 dhe 469 gr secili.

Sipas informacioneve këto mina me telekomandim, mund të përdoreshin në kryerjen e  veprave të renda kriminale. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.