“Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” për peshëngritësin Briken Calja

75

TIRANË, 7 dhjetor /ATSH/ – Peshëngritësi Briken Calja është dekoruar me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi peshëngritësin Briken Calja me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin, “Për rezultatet e shkëlqyera si ‘Kampion i Europës’ në sportin e Peshëngritjes, duke shpalosur vlera të larta të një sportisti të talentuar; i suksesshëm në arenën kombëtare e ndërkombëtare”.

“Kam kënaqësinë e veçantë të nderoj një nga sportistët e shquar në sportin e peshëngritjes, Briken Calja, Kampionin e Europës dhe fituesin e tri medaljeve të Arta”, u shpreh Presidenti i Republikës në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar autoriteteve vendore, sportistëve, kolegëve, familjarëve dhe miqve të kampionit shqiptar, gjatë një ceremonie solemne të organizuar në Shtërmen, vendlindjen e peshëngritësit.

“Brikeni u shpall kampioni më i ri i Europës në peshëngritje, pasi shkëlqeu në turneun e Bukureshtit. Tri medalje të arta erdhën vetëm nga sportisti ynë, kampion i trefishtë kontinental dhe rezultat historik për vendin tonë”, tha Meta.

“Shtangisti nga Shtërmeni që mban titullin Kampion i Europës ka një kontribut të jashtëzakonshëm jo vetëm për rezultatet e larta sportive, si në nivel kombëtar ashtu dhe ndërkombëtar, por mbi të gjitha ka vlera dhe merita të paçmuara në lartësimin e identitetit dhe promovimin e imazhit tonë kombëtar”, theksoi Presidenti Meta.

Presidenti u shpreh se, “Briken Calja, tashmë ka zënë një vend të rëndësishëm në plejadën e sportistëve më të talentuar dhe më të suksesshëm të vendit tonë”.

Peshëngritësi Briken Calja duke falënderuar Presidentin Meta për vlerësimin u shpreh se, “në radhë të parë ky është një vlerësim për sportin. Do të doja të falënderoj ish-ekipin tim të Shtërmenit, që më ka sjellë këtu ku jam sot! Gjithashtu do të doja të falenderoja familjen time dhe të gjithë njerëzit që më kanë mbështetur e më kanë sjellë në këtë rrugë, që kam pasur duke ia dalë të jem Kampion i Europës”.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.