Haxhi Dalipi, gjurmues i shkëlqyer i folklorit dhe shpirtit të polifonisë labe

86

TIRANË, 7 dhjetor /ATSH – A. ALLA /- ”Duke përjetuar këngën labe” titullohet libri i promovuar sot në ambientet e Akademisë së Shkencave, një përmbledhje e punimeve të mjeshtrit të etnomuzikologjisë Haxhi H. Dalipi, pas vdekjes.

Libri i cili i dedikohet poetëve, këngëtarëve, valltarëve dhe instrumentistëve të Labërisë, të cilët lartësuan vlerat më të mira të këngës labe, vjen për lexuesin si një thesar i trashëgiminë sonë në ecurinë e mendimit teorik dhe muzikologjik shqiptar.

Haxhi H.Dalipi në këtë libër mban të gjallë kujtimin e tij duke i transmetuar brezit të ri një fond mjaft të rëndësishëm mbi vlerat dhe rëndësinë e muzikës, traditës dhe veshjeve të zonës së Labërisë.

Ky libër ka si objekt muzikën tradicionale labe mes të tjerave dialektin muzikor geg, tosk dhe atë muzikor qytetar. Mes të tjerave në libër shqyrtohen variantet kryesore melodike të tij, afërsitë dhe dallimet midis muzikës zanore dhe asaj instrumentale, muzikës së grave dhe asaj të burrave, po kështu muzikës njëzërëshe dhe shumëzërëshe.

Gjatë promovimit të librit akademiku Vasil Tole u shpreh se Haxhi Dalipi është një vlerë e çmuar për muzikën, shoqërinë dhe trashëgiminë tonë kulturore. “Ky libër është tërësisht i besueshëm në çfarë shkruhet dhe thuhet në të pasi është vetë Haxhiu i cili sjell përjetimet e tij duke kombinuar studimin dhe intervistën. Pas botimit të këtij libri të gjithë së bashku do kuptojmë akoma më mirë se çfarë përfaqëson kjo kulturë e jashtëzakonshme e Labërisë e parë nga mendja dhe syri i një prej njohësve më të mirë dhe dashamirës i muzikës Labe siç ishte Haxhi Dalipi”.

Pak për Haxhi Dalipin…

Ky libër vjen për lexuesin nga botimet ”Toena” dhe gjatë promovimit të tij ishin të pranishëm studiues, dashamirës, politikanë si dhe grupet polifonike të Vlorës dhe Himarës. Libri erdhi si një dhuratë e çmuar nga dëshira e familjarëve për të lartësuar dhe mbajtur gjallë kujtimin dhe krijmtarinë e çmuar të Haxhi Dalipit.

Haxhi Dalipi lindi më 20 shkurt të vitit 1943 në Gjirokastër. Duke qenë, në të njëjtën kohë, energjik e entuziast, i vrullshëm e prodhimtar, krenar e modest, Haxhi Dalipi u përfshi thellë në profesionin e tij si muzikolog. I arsimuar fillimisht si instrumentist dhe më vonë si dirigjent, ai shfaqi gjatë tërë jetës së tij interesa artistike e shkencore dramatikisht të gjera.

Kështu, ai arriti të bëhet dirigjent, kompozitor, pedagog, studiues, arkitekt i festivaleve folklorike, udhëheqës artistik, mik i muzikologëve të rinj, kapedan i muzikës tradicionale labe dhe mbarë muzikës tradicionale shqiptare. Me veprimtarinë e tij aq të madhe interpretuese, krijuese e hulumtuese, veprimtari e cila rrezaton në rrafsh kombëtar e ndërkombëtar, Haxhi Dalipi mbetet pa dyshim një figurë e ndritur në historinë e muzikës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX.

Haxhi Dalipi ka dhënë kontributin e vet në etnomuzikologjinë shqiptare, ka krijuar dhe riorkestruar shumë këngë e valle popullore shqiptare, nga të gjitha trevat e Shqipërisë, që nga Kosova, Tropoja, Shqipëria e Mesme e Labëria, duke i sjellë të rifreskuara për publikun. Ka shkruar romanca, balada, rapsodi e opereta për fëmijë. Haxhi Dalipi mbante titullin “Artist i Merituar”. Haxhi Dalipi është i vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.