Haradinaj mbështet angazhimin e ri të EULEX

61

PRISHTINË, 7 dhjetor /ATSH/ – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim Vincenzo Coppola, drejtorin e EEAS (Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Europian) për planifikim civil dhe aftësi të sigurisë.

Kryeministri Haradinaj e uroi Vincenzo Coppola, për marrjen e detyrës dhe ardhjen e tij për të shërbyer në Republikën e Kosovës.

Haradinaj tha se e mirëpret bashkëpunimin që institucionet e vendit e kanë me ato të misionit të EULEX-it dhe se mandati i ri do të ndihmojë që të forcojë kapacitetet e tyre.

“Unë e mbështes angazhimin e ri të EULEX-it në rolin e tij që t’i forcojë institucionet tona. Pothuajse të gjitha lëndët janë transferuar nga EULEX në institucionet e Republikës së Kosovës, ndërsa sa i përket sundimit të ligjit, ne e kemi rritur buxhetin për Drejtësinë, pagat për gjyqtarët, prokurorët dhe policinë dhe më e rëndësishmja, kemi çuar përpara ligjet e nevojshme për të përmirësuar sistemin gjyqësor në vend”, tha Kryeministri Haradinaj.

Ndër tjerash, Haradinaj shtoi se pakoja e ligjeve të Antikorrupsionit është miratuar në Parlament dhe se në rrugë janë edhe ligje të tjera të rëndësishme në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit.

Po ashtu, gjatë takimit u diskutua edhe për Dhomat e Specializuara, si dhe për çështje të tjera të rëndësishme për vendin.

Ndërkaq, drejtori Coppola vlerësoi lartë angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të çuar përpara axhendën legjislative të vendit, duke treguar gjithashtu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e dyanshëm./KosovaPress/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.