FOTO/ Sulejman Krasniqi, shkrimtari i shqiptarisë që ngriti në mit figurat historike

229

RAHOVEC, 7 dhjetor/ATSH/- Sulejman Krasniqi, shkrimtari i madh shqiptar i njohur ndryshe si Balzaku i letrave shqipe, u përkujtua në ditën e tij të lindjes në një konferencë shkencore të zhvilluar sot në Rahovec.

Mes shkrimtarëve, njerëzve të penës, familjarëve të tij, lexuesve të disa brezave që kanë lexuar dhe adhuruar krijimtarinë e tij duke u njohur me to edhe në fshehtësi, u përkujtua në konferencën “Portreti krijues i shkrimtarit Sulejman Krasniqi”.

Eposi historik “Krasniqian”

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, në referatin e tij, “Pasqyrimi i historisë në veprën letrare të  Sulejman Krasniqit”, theksoi se “siç mund të shikohet nga intensiteti i botimeve që u përmendën edhe këtu, Sulejman Krasniqi mund të quhet me të drejtë “Balzaku ynë”, siç do të shkruante Dritëro Agolli vite më vonë”.

“Romani “Mic Sokoli”, i botuar vetëm një vit pas përkujtimit të Lidhjes së Prizrenit krijoi një tipologji të veçantë në letrat shqipe. Ai krijoi nga një mjedis i vogël dhe lokal, heroin e përmasave kombëtare që fatin dhe veprimtarinë e vet ia nënshtroi ideve të mëdha kombëtare. Sulejman Krasniqi mund të themi me plot gojën se është pena e tij që ka gdhendur një personazh që në vetvete bashkë me kompleksitetin e personazheve të tjerë si Ahmet Koronica, Shuaip Spahiu, Haxhi Zeka, Zef Kosharja etj, krijoi universin shqiptar të heroizmit që bie ndesh me agresivitetin shovinist të fqinjëve sllavë keqpërdorimin si plaçkë tregu të shqiptarëve nga pushteti perandorak osman dhe paragjykimi orientalist i fuqive perëndimore”, nënvizoi Koçi.

Koçi u shpreh se “pavarësisht se personazhet nuk shfaqen e dalin nga një vepër në tjetrën, ato kanë një kuptim narrativ që është pak a shumë historia e vetë kombit shqiptar. Gama e tematikave dhe karaktereve që krijoi janë të ndryshëm, por ato i bashkon vetëdija etnike, identiteti i veçantë historik dhe skalitja e ngjarjeve të mëdha të kombit. Linealiteti jo i rregullt i ngjarjeve historike që trajtoi në romane jo domosdoshmërisht krijon vështirësi për të lexuar eposin historik “Krasniqian”, por nëpërmjet identifikimit të veçantë të personazheve heronj skaliten dhe mbeten më mirë në mendje, njerëz dhe ngjarje që kanë shenjuar kujtesën tonë kolektive dhe historinë kombëtare”.

Në vitin 1990, Sulejman Krasniqi kishte arritur maturinë e vet si shkrimtar, prandaj sipas mendimit tim, tha Koçi, ka arritur të përcjellë mesazhe të forta historike letrare përmes penës së vet.

Drejtori Koçi i kërkoi familjes një objekt a dorëshkrim të shkrimtarit për ta ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar, në Tiranë.

Gjatë punimeve të konferencës, ai propozoi që të bëhet një simpozium më i madh siç e meriton themeluesi i romanit historik, Sulejman Krasniqi. Gjithashtu Koçi sugjeroi që kjo konferencë të zhvillohet edhe në muajin maj të 2019.

Sulejman Krasniqi, shkrimtari i shqiptarisë

Në konferencën kushtuar figurës, por edhe veprave të shkrimtarit Sulejman Krasniqi, vajza e tij, Albana Krasniqi ndau me të pranishmit mbresa dhe kujtime nga jeta dhe vepra e babait të saj.

“Në veprën e fundit babi, në jetëshkrim, ka treguar se ku u lind. U lind në Hoçë të Vogël dhe ne si fëmijë gjatë gjithë fëmijërisë tonë, gjatë rinisë tonë, por edhe në moshë madhore e kemi ndjerë Hoçën e Vogël, të pranishme në çdo hap tonin, megjithëse nuk e kishim parë asnjëherë. Kur u kthyem në ’99 dhe kur kaluam nga Zhuri, babai na tregoi me një emocion të jashtëzakonshëm se këtu kam ecur, kam kaluar kufirin për në Shqipëri”.

Sipas saj, kthimi në Hoçë të Vogël ka qenë një moment shumë emocionues. “Ka qenë një moment shumë drithërues, sepse gjetëm Hoçën e Vogël me tymin që dilte nga çatitë, për shkak të dhunës që ishte ushtruar ndaj këtij fshati, si ndaj gjithë Kosovës”.

“Peripecitë që babi ka përjetuar në Shqipëri i ka përjetuar edhe në Kosovë. Pak më herët ishim në zyrën e kryetarit të komunës dhe një nga historianët i pranishëm tha se, “kur erdha në Shqipëri thashë ‘mëmëdhe të dua edhe kështu siç je'”.

Dua ta huazoj këtë shprehje, tha Krasniqi, pasi babi e ka dashur gjithmonë mëmëdheun ashtu siç ka qenë.

Vajza e shkrimtarit të madh tregoi se “ai ka vuajtur gjithmonë qoftë këtu, qoftë atje, asnjëherë nuk ka marrë hakmarrjen si pikënisje për të lidhur marrëdhëniet për të tjerët, gjithmonë ka marrë faljen, pa harruar asgjë. Pa harruar asgjë, as këtu, as atje”.

Ajo e cilësoi babain e saj, si shkrimtari i shqiptarisë. “Ai e ka ndjerë veten shqiptar në të gjithë dimensionet e saj”, tha Krasniqi.

Shkrimtari që ngriti në mit figurat historike

Doktoresha e Shkencave, Besa Hoxha Beqiri, duke folur për “Vështirësitë e botimit të veprave të Sulejman Krasniqit sipas “Jetëshkrimit”, tha se “tryeza e sotme shkencore në 81-vjetorin e lindjes së tij, dëshmon se shkrimtarët e mëdhenj nuk vdesin edhe pas largimit të tyre fizik”.

“Të jetuarit dhe të krijuarit mes dy ëndrrave, dy dëshirave, mallit të pashuar dhe të përpjekjeve të vazhdueshme për të qenë pjesë aktive e çlirimit të Kosovës karakterizon shkrimet e shkrimtarit. Reflektimi i përjetimeve jetësore edhe aq më tepër qëllimi i tij me anë të shkrimeve e bën Sulejman Krasniqin luftarak, të guximshëm dhe shkrimtar që gjeti mënyrën të paraqesë atë që deshi, duke iu shmangur me mjeshtëri censurës kohore”, nënvizoi Hoxha.

Hoxha u shpreh se “fillimet e jetës së Krasniqit në Shqipërinë mëmë dhe aq më tepër përballimi me censurën e botimit qysh në veprën “Njeriu dy herë i pushkatuar”, me tematikë nga masakra e Tivarit, vepër kjo që nuk iu botua edhe pse u vlerësua e arrirë nga ana artistike dhe me stil të pëlqyer. Kjo vepër u botua vetëm pas 24 vitesh , pikërisht pushtimi serb ishte pengesa që e ndoqi në vazhdimësi”.

Prof Doktor Salih Bytyçi, në kumtesën shkencore “Kujtesa e brezit tonë për Sulejman Krasniqin”, tha se “emrin e tij e kam dëgjuar që në shkollë fillore. Emri i tij përmendej mes emrave që kishin dhënë mësim në fshatin tonë, Denjë, pas Luftës së Dytë Botërore, në fshatin, ku për herë të parë ishte hapur gjuha shqipe”.

Ndërsa, Sabile Keçmezi Basha, në referati “Aktiviteti atdhetar dhe historik të Sulejman Krasniqit”, tha se “më 1952 kur punonte mësues në shkollën fillore të Denjë, e grisi fotografinë e Titos duke e hedhur në mbeturina”.

Odise Plaku, shefi i botimeve të Parlamentit të Shqipërisë, tha në fjalën e tij se “më kanë pëlqyer të gjitha veprat e Sulejman Krasniqit, këtij shkrimtari të nderuar. Më ka pëlqyer veçanërisht gdhendja e historisë sonë kombëtare, që është pikërisht pika jonë e fortë, por që meriton vëmendje më të madhe, për historinë tonë të bukur, historinë tonë të shkruar me sakrifica, vetëmohime”.

“Sulejman Krasniqi e meriton prezencën e çdo shqiptari të vërtetë, sepse ka ditur të jetë shqiptar i vërtetë. Unë kam lindur në një fshat që quhet Hamil në Fier, në një fshat në të cilin ne myzeqarët kemi jetuar me kosovarët”.

Ndërsa, profesori i gjuhës shqipe në Prizren, Milazim Bajra, tha se “sot po flasim për atë çfarë ka përfaqësuar personaliteti dhe imazhi i Sulejman Krasniqit në historinë kombëtare, kulturore dhe letrare”.

Duke konsideruar këtë takim shumë të suksesshëm dhe të rëndësishëm, Bajra tha se “veprimtaria e Sulejman Krasniqit është shumë dimensionale”.

“Në aspektin e psikoanalizës është e rëndësishme të shikohet motivimi psikologjik. Nëse bazohemi në shkrimin e Fjordit, fantazia dhe letërsia, ai thotë se ëndrra është shprehje e dëshirave të parealizuara. Përse lidhet kjo me shkrimtarin Sulejman Krasniqi? Unë mendoj se nevoja personale e Krasniqit për të kultivuar në vetvete, por edhe për të realizuar pjesën e munguar të Kosovës në personalitetin e tij, i ka ardhur në ndihmë figurave historike, në raste të caktuara edhe të eposit, për të brumosur një identitet personal kundrejt një identiteti kombëtar”, evidentoi ai.

Gjatë konferencës u sollën kujtime mbi jetën dhe veprimtarinë e shkrimtarit që lexohej fshehurazi në Kosovë, Sulejman Krasniqi, nga veteranë, studiues, akademikë si Selim Kastrati, Basri Masmurati, Doktor Sherif Selimi nga Shkupi, Emin Kabashi, Bedri Zyberaj, Fridrik Dulaj etj.

Ata vlerësuan figurën e Krasniqit si shkrimtar që me mjeshtëri iu shmang censurës së kohës, ruajtjen e kujtesës historike si edhe elementët gjuhësorë në romanet e tij.

Jeta dhe vepra e Sulejman Krasniqit

Veprimtar i lirisë dhe pedagog, eseist dhe publicist i shquar, poet e dramaturg, novelist e romancier i shkëlqyer, me mbi njëzet vepra të botuara, Sulejman Krasniqi konsiderohet si përfaqësues dhe mbrojtës i vlerave historike shqiptare, por edhe një nga kultivuesit më të zellshëm të tyre.

Shkrimtari i mirënjohur shqiptar, Sulejman Krasniqi, lindi më 7 dhjetor 1937, në fshatin e lashtë të Kosovës, në Hoçë të Vogël.

Sulejman Krasniqi radhitet ndër figurat më të shquara të letërsisë shqiptare. Disa nga kritikët e quajnë si “Balzaku shqiptar”, të tjerët e vlerësojnë si “shkrimtar i të vërtetës historike”, ndërsa një kategori tjetër e kritikëve thonë se ka qenë “shkrimtar i rezistencës dhe i frymëzimit të brezave”.

Në të vërtetë, shkrimtari që shkruajti historinë e u bë më në fund vetë pjesë e historisë dhe pavdekësisë, Sulejman Krasniqi ka qenë shkrimtar i së vërtetës historike dhe simbol i rezistencës e i frymëzimit të brezave me dashurinë ndaj vendlindjes. Ai ishte një figurë komplete si njeri, një intelektual i një kalibri të lartë, një shkrimtar i shquar dhe një atdhetar i flaktë që e donte njësoj çdo pëllëmbë të tokave shqiptare. Këtë e dëshmoi me punën dhe veprën e pavdekshme të tij.

Në shtypin periodik dhe ditor Sulejman Krasniqi ka shkruar mijëra faqe si skica, tregime, artikuj, reportazhe, pamflete e të tjera dhe ka ka botuar mëse 21 vepra të veçanta, përfshirë këtu edhe romanin e fundit autobiografik, i cili u botua pak kohë para se të ndërronte jetë shkrimtari. Ndër veprat më të njohura janë: “Tri motra, tri histori”, novelë, 1972, “Në shpellën e banditëve”, roman, 1973, “Qielli i përflakur”, roman 1974, “Prijësja e komitëve“, 1975, “Beteja e nëndheshme“, 1976, “Lindita”, 1977, “Rrustë Kabashi”, 1978, “Mic Sokoli”, 1979, “Besëlidhja shqiptare”, 1980, “Pushka top, Bajram Curri”, 1982, “Dardanët”, 1985, “Heronjtë e bores”, 1985, “Oso Kuka”, 1986, “Shqiptarofobia e serbomëdhenjve”, “Njeriu dy herë i pushkatuar”, 1991, “Belbacakja“ 1982, “Rrëfimet e majorit”, 1993, “Evropë, deri kur do të keqpërdorësh durimin e Kosovës shqiptare”, 1996, “Rapsodia e kosovares”, 1999, “Rebeli i bajraqeve”, 2010 dhe libri i fundit autobiografik, “Jetëshkrim”, 2011.

Shkrimtari i mirënjohur, Sulejman Krasniqi, lëvroi me pasion historinë duke sjellë që nga viti 1958 në Shqipëri botën e shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi.

Sulejman Krasniqi është ndarë nga jeta më 16 korrik 2011.

/k.s/ /e.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.