FOTO/ “Një pasdite në muze”, mbi rëndësinë e Kongresit të Manastirit

55

TIRANË, 7 dhjetor /ATSH/ – Në kuadër të programit ”Edukimi Përmes Kulturës” Muzeu Historik Kombëtar organizoi veprimtarinë “Një pasdite në muze” me temë: “Rëndësia e Kongresit të Manastirit”.

Këto takime periodike bëhen me qëllimin për të sensibilizuar shoqërinë shqiptare mbi çështje të ndryshme të historisë, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare. Për të referuar për këtë temë ishin të pranishëm Rovena Vata kritike dhe studiuese e letërsisë/pedagoge dhe Brunilda Tusha, nxënëse e gjimnazit “Sami Frashëri, Tiranë.

Në fjalën e saj, Rovena Vata, midis të tjerash tha se Kongresi i Manastirit dhe vendimet e tij ishin rrjedhojë e rritjes së vetëdijes kombëtare të popullit shqiptar, për shkrimin dhe vlerësimin e gjuhës shqipe, për një albafet të vetëm të saj. Kjo ngjarje ishte një faqe e ndritur për historinë e kulturës sonë kombëtare, që i tregonte opinionit vendas dhe atij të huaj se shqiptarët ishin në gjendje t’i zgjidhnin vetë çështjet e kulturës.

Rëndësia e këtij kongresi mbi të gjitha ishte se shërbeu si nxitje për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe në shumë krahina të vendit tonë dhe luajti një rol me rëndësi për t’i prerë rrugën çdo ndikimi të huaj në këtë fushë. Këtij kongresi i shtohet rëndësia e tij edhe për faktin se hapi rrugën e një alfabeti të vetëm, i cili përmblidhte cilësitë më të mira të alfabeteve të mëparshme. U zgjodh ky alfabet që kemi, pasi ishte më i lehtë në përdorim, më i thjeshtë në të shkruar dhe më praktik në botime.

Në studimin e Dr.Majlinda Ziu, nëndrejtoreshë e gjimnazit “Sami Frashëri” Tiranë, prezantuar nga nxënësja Brunilda Tusha, midis të tjerash theksohej fakti se ende sot, pas 110 vitesh, vendimet e marra në Kongresin e Manastirit, kanë një vlerë unike dhe të patjetërsueshme në historinë e kombit shqiptar.

Pavarësisht, sfidave të forta që vijuan më pas në historinë e tij, pavarësisht copëtimit që pësuan trojet shqiptare, pavarësisht se ende një pjesë e tyre është jashtë trungut të vet, pavarësisht se një numër i lartë shqiptarësh kanë emigruar pothuajse në të gjithë botën, gjuha shqipe, mbetet busulla orientuese e identitetit kombëtar dhe simboli i shqiptarëve kudo që jetojnë. /a.a/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.