FOTO/ Grushtim brenda shpirtit bosh, “Kreditorët” premierë në ”arTurbina”

72

TIRANË, 7 dhjetor /ATSH/ – Shfaqja teatrore “Kreditorët” vepër nga August Strindberg me regji nga Luli Hoxha erdhi për publikun premierë mbrëmjen e djeshme në skenën e “arTurbina”.

Vepra e Strindberg u interpretua në skenë për publikun nga aktorët Helidon Fino, Luli Hoxha, Laert Vasili dhe Tringa Shala. Me regji nga Luli Hoxha, një nga kryeveprat e autorit të madh skandinav vjen për të hedhur dritë mbi marrëdhëniet bashkëshortore.

Krisja e marrëdhënieve bashkëshortore vjen si ngërç, që zbërthehet brenda 90 minutave në një skenë teatri. “Kreditorët”, është një shfaqje që trondit mekanizmin e njeriut të sotëm, grushton brenda shpirtit bosh të njeriut bosh. Përbindëshat konsumues do të përballen me pangopësinë si kurth i fajit të tyre. Bota si portokall do t’u kujtojë atyre karmën që nuk vonon për të marrë atë që ka dhënë.

Strindberg e shkroi këtë pjesë më tepër se një shekull më parë dhe triumfon frikshëm njësoj në të sotmen dhe të pandryshueshmen.

Shfaqja teatrore “Kreditorët” do shoqëroi publikun dhe mbrëmjen e sotme dhe nesër në skenën e ”arTurbinës”.

August Strinberg lindi më22 janar të vitit 1849 në Stockholm. Ishte një shkrimtar suedez me shumë rëndësi në letërsinë  e këtij vendi. Për gati katër dekada ai dominoi në letërsinë suedeze. Vepra e tij ndahet në dy lëvizje letrare; natyralizëm dhe ekspresionizëm. Në përgjithësi shkrimtari konsiderohet si pionier i gjuhës suedeze, pasi ishte shumë produktiv dhe nismëtar në shumë zhanre. Shumë libra të këtij autori klasifikohen si klasike në literaturën suedeze. August Strinberg vdiq më 14 maj 1912. /a.a/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.