FOTO/ “Ditët e Albanologjisë”, në fokus identitetin shqiptar

54

TIRANË, 7 dhjetor /ATSH/ – Akademia e Studimeve Albanologjike organizoi edicionin IX të Ditëve të Albanologjisë. Fjalën e hapjes së veprimtarive e mbajti rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, Marenglen Verli, i cili theksoi se edicioni i këtij viti i Ditëve të Albanologjisë shënon përmbylljen e një viti shumë të rëndësishëm, siç ishte Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut.

Ndër të tjera ky vit ka përkuar edhe me një sërë ngjarjesh të tjera të rëndësishme si, 140-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, 110-vjetori i Kongresit të Manastirit, 100-vjetori i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, etj.

Në 3 dhjetor zhvilloi punimet konferenca shkencore “Skënderbeu dhe epoka e tij”, ku referuan prof. dr. Aurel Plasari, “Referat: Mbi të sotmen dhe të ardhmen e studimeve skënderbegiane”, dr. Elvana Metalla, “Kruja në periudhën e mesjetës, rivlerësim mbi të dhënat arkeologjike”, prof. dr. Skënder Muçaj dhe dr. Suela Xhyheri “Kastriotët dhe fisnikët e tjerë shqiptarë në fushën e ndërtimeve mbrojtëse, prof. dr. Afërdita Onuzi “Veshjet shqiptare në shekujt XIV-XV (reflektim etnografik)”, dr. Mikaela Minga “Fan Noli, Skënderbeu dhe muzika”, prof. asoc. dr. Nebi Bardhoshi “Etnografia për Skënderbeun: kozmologji antropologjike mbi figurën e heroit”, prof. dr. Valter Memisha “Vështrime shkencore për figurën e Skënderbeut në faqet e revistës “Studime filologjike” etj.

Ditën e dytë, më 4 dhjetor zhvilloi punimet Konferenca “100 vjet gërmime arkeologjike në Shqipëri. Prezenca austro-hungareze në arkeologjinë shqiptare”.

Kjo konferencë e cila erdhi si bashkëpunim mes Institutit të Arkeologjisë (pranë ASA), Ambasadës Austriake në Tiranë dhe Muzeut Historik Kombëtar, kujton kontributin e misioneve austro–hungareze në arkeologjinë shqiptare si dhe synon të japë një panoramë të përgjithshme të rrugëtimit të tyre shkencor.

Në fund të konferencës u hap ekspozita me titull “100 vjetori i prezencës austro-hungareze në arkeologjinë shqiptare”. Gjithashtu gjatë ditës së dytë të veprimtarive Ditët e Albanologjisë u paraqitën 34 botime të reja shkencore të realizuara nga institutet e Akademisë së Studimeve Albanologjike gjatë vitit 2018.

Gjatë ditës së tretë, 5 dhjetor, u hap në ambientet e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit ekspozita: “Një etnografi për kohën e Skënderbeut”. Nëpërmjet kësaj ekspozite synohej të paraqitej kultura shqiptare në periudhën e Mesjetës. Objektet që u ekspozuan ishin: veshje, stoli, pajisje të mjedisit shtëpiak, armë të kohës së Skënderbeut, etj. /a.a/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.