Film dokumentar për Eposin e Kreshnikëve

100

PRISHTINË, 7 dhjetor /ATSH/ – Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në përputhje me mandatin e saj ligjor dhe aktet e tjera që rregullojnë fushën e trashëgimisë kulturore, në vazhdimësi është e përkushtuar në ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Krahas kësaj dhe në përputhje me objektivat strategjike, një rëndësi të veçantë i kushton edhe promovimit të trashëgimisë kulturore. Në vazhdën e përpjekjeve për të kompletuar inventarin, studimet, hulumtimet dhe interpretimet në fushën e trashëgimisë kulturore me theks te veçantë të asaj jo materiale dhe promovimit gjithsesi, ka mbështetur punën e Komisionit Ndërqeveritar për Eposin e Kreshnikëve, me theks të veçantë punimin e filmit dokumentar për Eposin e Kreshnikëve.

Dosja për Eposin e Kreshnikëve është punuar në përputhje me kriteret ndërkombëtare dhe bazuar në dispozitat e Konventës për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale kurse është hartuar nga grupi i specialistëve më eminent të Kosovës dhe Shqipërisë, prof. dr. Zymer Neziri, prof. dr. Shaban Sinani dhe akademik Vaso Tole.

Filmi dokumentar është punuar nga regjisori Orhan Kërkezi në bashkëpunim me specialistët e sipërpërmendur. Në kuadrin e filmit dokumentar të Eposit dhe të folklorit burimor në fokus është instrumenti muzikor Lahuta, që përfaqëson akretipin më të lashtë të veglave kordofone me hark të kontinentit europian dhe që shoqëron këngët e kënduara.

Qëllimi i përfshirjes së Eposit të Kreshnikëve në Listën e Përfaqësimit të Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore të UNESCO-s ka qenë dhe do të mbetet si i tillë, pra përfshirje e monumentit më të lashtë të etnokulturës si një nga shtyllat kryesore të trashëgimisë jo materiale dhe një nga pikat më të ndritshme europiane dhe botërore. I kategorizuar si i tillë ka dhe do të ketë për qëllim respektin e vazhdueshëm ndërmjet komuniteteve, grupeve e individëve si dhe do te promovonte respektin për diversitetin kulturor.

Për shkak të rrethanave të asaj periudhe, parashtrimi për Eposin e Kreshnikeve në UNESCO nuk ka ndodhur sikundër që është aspiruar fillimisht anëtarësimi i Kosovës për të ndjekur më tej procedurat e rregullta. Në këtë relacion, MKRS-ja ka dhënë dhe statusin ligjor për Eposin e Kreshnikëve në kuadër të Listës së Trashëgimisë Kulturore nën kategorinë V të Trashëgimisë Shpirtërore. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.