Durrës/ Tragetet në janar-nëntor, 7% më shumë mallra se në 2017

TIRANË, 7 dhjetor/ATSH/ – Tragetet e linjave Durrës–Bari dhe Durrës–Ankona e kthim gjatë periudhës janar-nëntor të këtij viti kanë transportuar më shumë mallra dhe më pak udhëtarë se sa në 11-mujorin e vitit të kaluar.

Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në Autoritetin Portual Durrës, mësohet se në këto 11 muaj tragetet kanë transportuar 805.106 tonë mallra, të ngarkuar në kamionë dhe trajlera.

Kjo është një sasi 7 për qind më e lartë se sa e 11-mujorit 2017, ndërsa importet dhe eksportet për të njëjtën periudhë kanë patur gjithashtu të njëjtën rritje, 7% secila.

Tragetet kanë transportuar 64.589 kamionë dhe 5.468 trajlerë në 11 muaj, përkatësisht 5 për qind më shumë dhe 2% më pak se sa në janar- nëntor 2017.

Në periudhën janar-nëntor 2018 tragetet janë shfrytëzuar nga afro 793 mijë udhëtarë dhe 168 mijë autovetura.

Nga të njëjtat burime mësohet se tragetet kanë kryer 924 lundrime vajtje-ardhje, ose 2 lundrime më shumë se në 11 muajt e një viti më parë./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.