Bashkëpunimi rajonal nxit shkëmbimet tregtare dhe sigurinë

82

TIRANË, 7 dhjetor/ATSH/ Bashkëpunimi i strukturave të Doganave Rajonale nëpërmjet shkëmbimit të informacionit në një kohë sa më të shkurtër, do të bëjë që të kemi një rritje të tregtisë dhe sidomos sigurisë së vendeve të rajonit.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, me mbështetjen e Programit të EXBS të Qeverisë Amerikane, zhvilloi një takim Rajonal në Tiranë, me 5-6 dhjetor, i cili u fokusua në dy shtylla kryesore, bashkëpunimin rajonal dhe përballimin e sfidave të përbashkëta të Administratave Doganore.

Në fjalën përshëndetëse të këtij takimi, Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave Shqiptare, Belinda Ikonomi, vlerësoi, se bashkëpunimi në fushën doganore, tanimë është një proces i vazhdueshëm dhe i pandalshëm.

Sipas Ikonomit, ky takim gjithashtu ofroi mundësi për të diskutuar bashkëpunimin potencial rajonal, shkëmbimin e informacionit, trajnimin/operacionet e përbashkëta, dhe pse jo krijimin e analizave të përbashkëta për profile risku.

Gjithashtu ajo cilësoi si sfida të përbashkëta luftën ndaj terrorizmit, pastrimin e parave, trafikun e drogës dhe trafikimin e qenieve njerëzore.

Çështjet kryesore që u adresuan në këtë takim, u fokusuan pikërisht në ambiciet e përbashkëta që janë, jo vetëm në drejtim të kontributit për një tregti të hapur dhe të drejtë në zbatim të politikave tregtare, por dhe në krijimin e kufijve më të sigurt.

Ky takim vjen si vazhdimësi e shumë bashkëpunimeve dhe komunikimeve, si midis strukturave administrative, ashtu edhe në kuadër të programeve të rëndësishme të zbatuara tashmë prej të gjitha vendeve.

Vendet pjesëmarrëse në këtë takim ishin Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia, Serbia, Turqia, Maqedonia, Kosova dhe Bosnje Hercegovina. /m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.