Bashkëpunim institucional dhe ndryshime legjislative kundër krimit mjedisor

53

TIRANË, 7 dhjetor /ATSH/ – “Krimi mjedisor është shpeshherë i mirorganizuar dhe i sofistikuar dhe lufta ndaj tij kërkon burime të mjaftueshme, bashkëpunim institucional dhe ndryshime legjislative, përfshirë ndryshime në kodin penal”.

Kështu deklaroi sot Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Bernd Borchardt në konferencën kombëtare për krimin mjedisor, organizuar sot nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Për këtë qëllim, tha Borchardt, “ne e mbështesim konferencën e sotme, e cila synon gjetjen e zgjidhjeve konkrete për hapat e radhës që duhen ndërmarrë. Vetëm në sajë të bashkërendimit të efektshëm, arritjet tona do të bëhen të qëndrueshme”.
Borchart theksoi se, gjurmët e krimit mjedisor janë të dukshme anembanë vendit.
“Mjafton që të udhëtojmë në pjesë të ndryshme të tij, të kapërcejmë një lumë, apo t’i afrohemi skajeve të një fshati ku gjendet një vendgrumbullim plehrash i paligjshëm. Të gjithë e njohim këtë realitet”, tha Borchardt.

“Vështirë se mund të vlerësohen përmasat e këtij fenomeni: sa më shumë që shohim, aq më shumë e kuptojmë sesa i shëmtuar është krimi mjedisor. Fatkeqësisht, të mungojnë të dhënat e plota në lidhje më këtë fenomen. Vendit ende i mungojnë mekanizmat e sakta të raportimit dhe ka ngelur prapa me hetimin e këtyre krimeve”, nënvizoi ambasadori Borchardt.

Duke iu referuar të dhënave të Prokurorisë së Përgjithshme, të botuara në vitin 2017 për vitin 2016, Borchardt tha se, “rezulton se vetëm 216 çështje janë denoncuar në Prokurori, nga të cilat vetëm 45 janë dërguar në gjykatë. Nga ato, gjykata ka dhënë dënime vetëm në 32 raste”.

Ambasadori theksoi se, ky numër i vogël rastesh të denoncuara tregon se nuk ka pasur prova të mjaftueshme, dhe mbi të gjitha nuk ka pasur hetime të mjaftueshme.
Prandaj, nënvizoi ai, ka nevojë të forcohet i tërë zinxhiri inspektorat-polici-prokurori-gjykata dhe se kjo është një çështje tek e cila duhet të përqendrohet puna e këtij grup pune ndërinstitucional.

Në konferencën e sotme ishte i pranishëm edhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, Kryetari i Komisionit parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Eduart Shalsi dhe zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.