Basha: Thirrje qytetarëve që të bashkohen me protestën e studentëve

59

TIRANË, 7 dhjetor /ATSH- I. Vata/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestave të Unazës së Re dhe protestës së studentëve.

Duke marrë shkas nga protesta e banorëve të Unazës së Re, Bregut të Lumit, Shkozës, Basha ka bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës së studentëve.

“Projekti i unazës së re është një projekt vjedhje. Ai nuk bëhet për qytetarët, për qytetin e Tiranës, por për xhepat e disave. Kemi dy muaj që e kemi thënë. Sot të gjithë po shohin Edi Ramën e vërtetë. Arroganca dhe këmbëngulja dymujore për të nxjerrë nga shtëpitë e tyre qytetarët nuk ndalen”, tha ai.

Basha shtoi se “sot ka dalë ARRSH, që të bëjë mashtrimin e radhës. ARRSH, duhet të dalë e gjitha para drejtësisë, sepse në vend që t’u shërbejë njerëzve dhe ligjit është shndërruar në një vegël për të vjedhur. Të gjitha koncesionet që ka hartuar dhe kontraktuar ARRSH-ja në rrugë janë akte korrupsioni dhe asnjë nga zyrtarët e ARRSH-së të përfshirë nga më i thjeshti, tek më i larti nuk duhet të lihet i lirë, por duhet hetuar dhe nxjerrë para drejtësisë”.

Po ashtu Basha u bëri thirrje medieve dhe qytetarëve t’u bashkohen protestave qytetare dhe protestës së studentëve.

“Du t’u them dhe një herë studentëve, banorëve të Unazës dhe qytetarëve kudo ku janë: Unë jam me ju, demokratët janë me ju. Ne jemi me njerëzit dhe detyra jonë është të përfaqësojmë njerëzit. Ne japim mbështetjen tonë për përpjekjet tuaja. Ne nuk duam lavde, por drejtësi. Askush nuk duhet të rrijë më i heshtur dhe askush nuk duhet të rrijë pa vepruar. U bëjë thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës së banorëve të Unazës, Shkozës, Bulevardit të Ri. T’u bashkohen studentëve, bijve dhe bijave që protestojnë për të drejtën e tyre për dije dhe arsimim”, theksoi në fund Basha. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.