Sigurimi i depozitave, roli në mbrojtje të interesit të qytetarëve

55

TIRANE, 6 dhjetor /ATSH/- Roli e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD) dhe skema e sigurimit të depozitave, ishte temë e leksionit të hapur që zhvilluan Genci Mamani, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë dhe ekspertët dr. Adriatik Kotorri në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës.

Në këtë leksion, në të cilin morën pjesë studentë të Masterit Shkencor në Financë të këtij Fakulteti, Mamani analizoi rolin e ASD në administrimin e skemës së sigurimit të depozitave, në funksion të mbrojtjes së interesave të depozituesve shqiptarë dhe kontributit në stabilitetin financiar në vend. Ndër të tjera, u theksua angazhimi i Agjencisë për të qenë në vijimësi vigjilentë në rast ngjarje sigurimi të një banke të sistemit për të kompensuar shpejt dhe saktë çdo depozitues deri në nivelin maksimal të mbulimit.

Në vijim të leksionit, Mamani iu përgjigj edhe pyetjeve të bëra nga audienca, ndër të cilat, në lidhje me strategjinë e deeuroizimit të Bankës së Shqipërisë, ai theksoi se Agjencia e mirëpret këtë strategji dhe ashtu si edhe në drejtim të politikave për ndërgjegjësimin e depozituesve lidhur me skemën e sigurimit të depozitave, do të marrë të gjitha masat për mirëinformimin e depozituesve shqiptarë lidhur me masat e ndërmarra në kuadër të kësaj strategjie nga Banka e Shqipërisë.

Mamani shpjegoi gjithashtu mënyrat e financimit të skemës së sigurimit të depozitave dhe mjetet alternative që Agjencia disponon në rast ngjarje sigurimi. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.