“Qytetar Nderi” i Beratit për ish-mësuesin Shkëlqim Gjergjani

88

TIRANË, 6 dhjetor/ATSH/-  Bashkia e Beratit organizoi sot në mjediset e bibliotekës ceremoninë zyrtare të dhënies së titullit “Nderi i qytetit”, akorduar nga këshilli bashkiak, Shkëlqim Gjergjanit, ish-mësues, ish-drejtues shkolle dhe ish-nëpunës i qeverisë lokale para viteve ’90, me një kontribut të çmuar në fushën e arsimit dhe të qeverisjes vendore.

Ishin të pranishëm në këtë ceremoni Presidenti i Republikës, Ilir Meta, kryetari i bashkisë, Petrit Sinaj, anëtarë të këshillit bashkiak, përfaqësues nga institucionet e arsimit dhe të kulturës, të forcave politike, të shoqatave, të komuniteteve fetare, qytetarë, ish-kolegë, miq dhe familjarë.

Të pranishmit ndoqën një jetëshkrim të shkurtër të jetës së Shkëlqim Gjergjanit, nga edukimi dhe formimi i tij e deri te kontributi që ai ka dhënë për komunitetin beratas.

Kryetari i bashkisë, Petrit Sinaj, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi nevojën që ka çdo popull për memorien kulturore, historike, shpirtërore, duke vlerësuar e nderuar ato figura që kanë dhënë një kontribut të çmuar në ruajtjen, pasurimin dhe trashëgiminë e vlerave shpirtërore të një populli, siç ishte edhe mësuesi i nderuar Shkëlqim Gjergjani.

Presidenti Meta u shpreh se “ndihej i kënaqur që merrte pjesë në një ceremoni të tillë për të nderuar një personalitet të arsimit, duke evidentuar ndërkaq rolin e pazëvendësueshëm të mësuesit në komunitetet dhe në gjithë shoqërinë shqiptare”.

“Pavarësisht vështirësive të atij regjimi, – theksoi ndër të tjera Meta, – duhet ta pranojmë të gjithë se është bërë një punë e jashtëzakonshme për arsimin e vendit dhe shoqërisë shqiptare dhe kjo punë, në radhë të parë, i dedikohet sakrificës, pasionit të mësuesve, edukatorëve dhe drejtuesve në fushën e arsimit, prandaj dhe vlerësimi që ju i bëni sot Shkëlqim Gjergjanit, është një shembull i qartë frymëzimi për të gjithë mësuesit dhe pedagogët për ta kryer me përgjegjshmëri detyrën e tyre në edukimin e brezave, por edhe një mesazh i qartë për të institucionet, për shtetin, për shoqërinë, për ta vlerësuar e për t’i dhënë vendin e duhur figurës së mësuesit”.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i shoqëruar nga kryetarja e këshillit bashkiak, Nikoleta Manka dhe kryetari i bashkisë, Petrit Sinaj, i dorëzuan familjarëve të Shkëlqim Gjergjanit, i cili u nda nga jeta në vitin 2009, titullin “Nderi i qytetit”.

Bashkëkohës dhe kolegë të Shëlqim Gjergjanit shprehën mbresa dhe emocione rreth figurës së tij. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.