Qeveria shfuqizon pikën 4 të VKM-së për provimet e mbartura

87

TIRANË, 6 dhjetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave shfuqizoi sot pikën 4 të vendimit mbi “Miratimin e kufirit maksimal të tarifës vjetore të shkollimit për studentët”.

Këshilli i Ministrave miratoi sot një ndryshim në vendimin nr. 288, datë 21.5.2018 për “Miratimin e kufirit maksimal të tarifës vjetore të shkollimit për studentët që ndjekin studimet në institucionet publike të arsimit të lartë, në një program të ciklit të parë të studimeve, në një program të integruar të studimeve ose në një program të studimeve profesionale me kohë të plotë”.

Vendimi për shfuqizimin e pikës 4 të kësaj VKM-je u mor pas propozimit të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Ministrja Nikolla informoi studentët për shfuqizimin e pikës 4 të VKM-së nr. 288, sipas të cilit studentët nuk do t’i nënshtrohen tarifës së shkollimit për provimet e prapambetura.

Ndërkohë për zbatimin e këtij vendimi, i cili hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe institucionet publike të arsimit të lartë. /m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.